Kushtet e këqija në “Minatori”, ndeshja me Luksemburgun luhet në Prishtinë

Kombëtarja 08 Gusht 2019 12:44

Ndeshja Kosova- Luksemburgu më 14 gusht 2019 në kuadër të parakualifikimeve për Eurobasket 2021 do të zhvillohet në Prishtinë, ka bërë të ditur FBK-ja përmes një komunikate për media.

Ndeshja do të luhet në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë duke filluar nga ora 20:30.

Një vendim të tillë Federata e Basketbollit të Kosovës e ka marrë pas sugjerimeve të FIBA-s të marra menjëherë pas ndeshjes së luajtur të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

Në ndeshjen Kosova – Britania e Madhe për shkak të ngarkesës së madhe të rrymës është ndalë semafori, që ka shkaktuar më pas edhe probleme të tjera teknike dhe organizative dhe kjo ka bërë që ndeshja të ndërpritet.

Kujtojmë që për palestrën Minatori, Insporti ka raportuar edhe për kushtet e vështira në të cilat hasin gazetarët e kameramanët.

Federata e Basketbollit të Kosovës ka thënë se e falënderon qytetin e Mitrovicës dhe KB Trepçën për gatishmërinë që e kanë treguar në ndihmën organizative të këtyre ndeshjeve.

-->