Përfundoi Kuvendi, të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan pa vërejtje

Futboll 28 Mars 2019 17:10

Federata e Futbollit të Kosovës e ka mbajtur mbledhjen e Kuvendit sot, e enjte, me fillim nga ora 17:00.

Kjo mbeldhje mbahet një herë në vit dhe pasqyron të arriturat e kësaj Federata brenda 12 muajve.

Delegatët kanë votuar për Raportin e Punës dhe Raportin Financiar për vitin 2018 në FFK, Raportin e Garave dhe parashtresa e ankesa dhe vendime të ndryshme.

Në këtë Kuvend, që u mbajt në Hotel “Emerald”, morën pjesë 54 nga 59 delegatë sa ka gjithsejë Kuvendi.

Pikat e rendit të ditës:

 

Deklarata e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe kryetarit të FSHF-së, Armand Duka:

“Rezulatet e fundit të FFK-së, e sidomos ato të ekipit Kombëtar do ta bëjnë të pendohet këdo që nuk ka qenë në favor të anëtarësmit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.

“UEFA është fuqishëm në përkrahje të Presidentit të FFK-së Agim Ademit.

“Në këtë Kuvend jam i nderuar që vijmë por edhe i trishtuar sepse mungon miku im i dhe ish Presidenti i FFK-së Fadil Vokrri.”

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi në ekspozeun e tij foli për projektet kryesore të FFK-së përgjatë vitit 2018, ku përmendi investimet në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe dy projektete e mëdha që do të vazhdojnë këtë vit – Kampin Nacional në Obiliq dhe Shtëpinë e Futbollit.

“Për të dyja këto projekte tashmë ka përfunduar puna me dokumentacion dhe sivjet pritet të fillojnë punimet në ndërtim,” u shpreh ai.

Mëtej, Ademi komentoi edhe sukseset e Kombëtares “Dardane”, duke thënë:

“Kombëtarja e Kosovës është storie e suksesit në UEFA.

“Duke i falenderuar të gjithë që punuan deri këtu, derisa suksesi ka ardhur nën trajnerin Bernard Challandes, Kombëtarja jonë po e arrin një gjë të cilën të gjithë e dojmë.

“Shpresojmë që Kombëtaren do ta shohim në Kampionatin Evropian 2020.”

ID të FIFA-s për të gjithë:

Në kuadër të prezantimit të punës së FFK-së për vitin 2018, u tha se një nga prioritetet e kësaj organizate është regjistrimi i të gjithë lojtarëve dhe pajisja e tyre me ID të FIFA-s, në kuadër të programit “FIFA Connect.”

Sipas planit të FFK-së, secili lojtar që nga mosha gjashtë-vjeçare deri tek kategoria e seniorëve, si dhe zyrtarët e klubeve dhe personat tjerë të përfshirë në ndeshje, do të registrohen në “FIFA Connect” dhe do të kenë ID të FIFA-s.

Buxheti i FFK-së për vitin 2018:

Buxheti i FFK-së për vitin 2018 ka pasur vlerë mbi 11 milionë euro dhe gati 90% e këtyre të hyrave janë nga FIFA dhe UEFA, kurse pak mbi 10% nga të hyrat e FFK-së janë nga sponsorët, dënimet, anëtarësimet, sponsorimet dhe të drejtat televizive.

Në këtë buxhet nuk figuron shifra prej 500 mijë eurosh që ishte premtuar si premi për ekipin Kombëtar nga Kryetari i PDK-së dhe i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Kjo shumë nuk është paguar në vitin 2018, ndërsa burime të Insportit nga Kuvendi i FFK-së bëjnë të ditur se nuk është paguar as deri më sot

Pagat e selektorëve dhe shpenzimet në paga e meditje për ekipet Kombëtare mbërrijnë mbi 2 milionë euro, pjesa më e madhe shkon në ekipin kombëtar A.

Mbi 150,000 euro janë shpenzuar për staf dhe meditje në Kombëtaren A.

Klubi me tifozët më besnikë:

Klubi me tifozët më besnikë është KF Llapi, sipas statisitkave zyrtare të FFK-së, të grumbulluara nga të dhënat e zyrtarëve të ndeshjeve, KF Llapi është klubi me më së shumti shikues në vitin 2018.

Ndeshjet e këtij klubi si vendës i kanë përcjellur mesatarisht nga 981 shikues.

Delegati i Trepçës’89, Abedin Zeka propozon pagë për bashkëshorten e Fadil Vokrrit:

FFK miraton pension për bashkëshorten e Fadil Vokrrit, me propozim të Abedin Zekës, delegatit të Trepçës’89, Kuvendi e miratoi kërkesën.

Në Kuvendin e Punës së FFK-së, delegatët miratuan raportet financiare dhe ato të punës e të garave të FFK-së pa vërejtje dhe poashtu kaloi edhe vendimi për një pagë/pension për bashkëshorten e ish Kryetarit të FFK-së. /Insporti.com/

 

 

-->