Ky aksion dëshmon se Chelsea ka të ardhme të ndritur nën drejtimin e Lampardit

Futboll 01 Gusht 2019 16:25

Pavarësisht se ka një pezullim në transferime këtë verë, duket se Chelsea po futet në edicionin e ri në Premier League me optimizëm.

Maurizio Sarri është zëvendësuar nga legjenda e klubit, Frank Lampard, derisa “Të Kaltërit” rikthehen në Champions League këtë edicion.

Chelsea tashmë dihet se është përforcuar me 20-vjeçarin e talentuar, Christian Pulisic në afatin kalimtar të janarit, por ai qëndroi te Borussia Dortmundi për pjesën tjetër të sezonit në formë huazimi.

Anësori amerikan tregoi paraqitje të shkëlqyeshme në miqësoren e Chelseat kundër Red Bull Salzburgut. Pulisic shënoi dy herë dhe fitoi një penallti gjatë fitores 5-3 në Austri.

Golin më të bukur të ndeshjes e shënoi sulmuesi spanjoll, Pedro Rodriguez. Derisa ky gol ishte vërtet i veçantë, Chelsea tregoi poashtu edhe punë fantastike ekipore. Në mesin e pjesës së parë, Kepa Arrizabalaga e pati topin në këmbë dhe ishte nën presionin e tre futbollistëve të Salzburgut.

17 sekondat që pasuan ishin jashtëzakonisht impresiv. Chelsea u lirua nga presioni derisa pikërisht në këtë aksion Pulisic nxori një penallti, të cilën e konkretizoi Ross Barkley.

Tifozët e Chelseat këtë stil të lojës po e quajnë “Frankieball”.