Ky është delegacioni “turistik” olimpik i Kosovës

Sporte tjera 11 Shkurt 2019 11:29

Kosova po merr pjesë me dy skitare në Festivalin Olimpik për të Rinj, që po zhvillohet në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnjes e Hercegovinës.

Mirëpo, fakti që vetëm dy sportiste janë pjesëmarrëse nuk e ka ndaluar Komitetin Olimpik që të prezantohet në mënyrë “dinjitoze”, me një delegacion të numërt, raporton Insporti.

Në Sarajevë, ngjyrat e Kosovës do ti mbrojnë Elba Kokaj dhe Klea Vrella, dy skitaret e reja, që kanë pak gjasa për ndonjë sukses, madje trajnerët e tyre , Feim Kollqaku dhe Egzon Agani,në konferencë për media para nisjes në Sarajevë kishin pohuar se “me përgatitjet të cilat i kemi bërë falë KOK-ut në Erzurum të Turqisë, mendoj se e kemi rritur sado pak cilësinë”.

Sidoqoftë, përveç dy skitareve dhe dy trajnerëve, Insporti bën të ditur se në Sarajevë, Kosova përfaqësohet edhe nga Besim Hasani – President i Komitetit Olimpik të Kosovës, Shasivar Haxhijaj, Sekretar i Përgjithshëm i KOK-ut, Jeton Rudari – Administrator në KOK, në këtë udhëtim në cilësinë e Shefit të Misionit, gazetari Kushtrim Krasniqi, dhe Selim Maloku, i cili është Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Skitarisë së Kosovës.

Delegacioni nëntë anëtarësh, ku nuk ka fizioterapeut ose mjek është mundësia e radhës për Komitetin Olimpik që të organizojë udhëtime masive në vende të ndryshme.

Insporti më herët kishte raportuar edhe për delegacionin e madh, të përbërë kryesisht nga anëtarë dhe zyrtarë të PDK-së, që “përfaqësoi” Kosovën në Lojërat Olimpike për të Rinj në Buenos Aires të Argjentinës.

Sipas Planit Financiar të KOK-ut për vitin 2019, një kopje të së cilit e posedon Insporti, ky institucion planifikon të shpenzojë 220 mijë Euro, ose rreth një të gjashtën e buxhetit në ” Pjesëmarrja e ekipeve Olimpike në Lojërat Olimpike, shpenzime e biletave, akomodimit, uniforma e ekipit Olimpik etj” dhe 100 mijë Euro tjera në “Kompensimet për mbledhje, udhëtime zyrtare, angazhime profesionale, komisione dhe grupe punuese”.

Një pjesë e këtyre 100 mijë Eurove do të shkojnë në mëditjet për këtë udhëtim në Sarajevë, kurse një vijë tjetër buxhetore, në vlerë 85 mijë Euro, për “Pjesëmarrja në Asamble, Kongrese, Sesione, Forume ndërkombëtare”, që i bie që gati një e treta e buxhetit të KOK-ut për këtë vit do të shkojë në udhëtime, bazuar në shifrat e prezantuara.