Ky është golashënuesi më i mirë i Kosovës në eliminatoret “Euro2020”

Kombëtarja 18 Nëntor 2019 11:52

Përfaqësuesja e Kosovës përfundoi ciklin e kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro2020” me humbje kundër Anglisë me rezultat 4:0, shkruan Insporti.com.

Të besuarit e përzgjedhësit të Kosovës, Bernard Challandes nuk arritën të arrinin ëndrrën e quajtur “Euro2020”, pasi përfunduan në pozitën e tretë me 11 pikë, pozitë kjo që nuk siguron kualifikimin.

Megjithatë, Kosova zhvilloi ndeshje të jashtëzakonshme gjatë këtij cikli kualifikues. “Dardanët” ishin në grupin A së bashku me Anglinë, Malin e Zi, Bullgarinë dhe Republikën e Çekisë.

Kosova në tetë ndeshje që zhvilloi shënoi 10 gola, ndërsa pësoi 15.

 

Futbollisti më i mirë në këto ndeshje kualifikuese ishte sulmuesi nga Prizreni, Vedat Muriqi.

Sulmuesi i Fenerbaches shënoi katër gola në gjashtë paraqitje. Në dy ndeshjet e fundit mungoi për shkak të një lëndimi që pësoi në kampionatin turk.

Kështu, Muriqi e mbylli këtë cikël kualifikues si golashënuesi më i mirë i “Dardanëve”.

Muriqi golin e parë e kishte shënuar në fitoren historike në udhëtim ndaj Bullgarisë me rezultat 2:3.

 

Ndryshe, kjo ishte e hera e parë që Kosova mori pjesë në kualifikime për Kampionat Evropian.

Kosova ka edhe një shans për të siguruar “biletën” për “Euro2020” përmes Ligës së Kombeve, si fituese e grupit të tretë në Ligën D.

Në gjysmëfinale do të përballet me Maqedoninë e Veriut në mars të vitit 2020 në Shkup. /Insporti.com/

-->