Ky është kandidati që synon ta rrëzojë “monarkin” Hasani nga KOK-u

Sporte tjera 16 Janar 2021 16:45

Në Kosovë gjëra të pabesueshme vijojnë të jenë të pranishme në çdo institucion, qoftë politikë, sportivë apo diçka tjetër. Një gjë rrallë e dëgjuar dhe parë, është prezente edhe në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), shkruan Insporti.

Aty duket se kryetari i këtij Komiteti, Besim Hasani e ka ‘privatizuar’ këtë institucion, pasi është në krye të saj për 24 vite me radhë… siç e lexuat edhe ju, plotë 24 vite, ose më saktësisht që nga viti 1996.

Një nga rastet më të rralla dhe të padëgjuara ndonjëherë, pasi Hasani ia kishte arritur ta ndryshonte statutin e KOK-ut me votat e kuvendarëve, duke mos i bërë vetes ndonjë pengesë për të kandiduar e kandiduar përsëri.

Por një nga kundërshtarët e pakët të Hasanit, që po tenton ta mposht për të dalë në krye të KOK-ut, është Ismet Krasniqi, i cili ka folur për Insportin rreth të gjitha zhvillimeve që po ndodhin aty.

Krasniqi njëherish është kryetar i Federatës së Karatesë të Kosovës, po synon që ta marrë kreun e KOK-ut në zgjedhjet e ardhshme.

Fillimisht, ai tregoi arsyet pse po e bën një gjë të tillë.

‘’Kandidoj për president të Komitetit Olimpik të Kosovës për arsyje se medoj që mundem me dhanë shumë për sportin e Kosovës, këtë e kam deshmuar për 4 vite edhe në Federaten e Karatesë së Kosovës si kryetar’’, tha i pari i karatesë në Kosovës.

Krasniqi thotë se pavarësisht që dëshiron t’ia marrë vendin Hasanit, e çmon për disa nga punët e bëra këto 24 vite, derisa tregon punën e pare që do bënte nëse do vinte në krye të KOK-ut.

‘’Nuk du me thanë epoka e Besim Hasanit sepse nuk është i vetmi president në botë që ka mandat aq të gjatë, tek e fundit këtë ia ka leju edhe statuti të cilin vet kuvendarët e kanë votu, dhe në asnjë rast nuk kemi të drejtë t’i humbim meritat edhe të kësaj qeverisje me Besim Hasanin. Mirëpo koha e bën të veten, për 24 vjet çdo njeri harxhohet dhe patjetër që ndryshimet janë të mira në çdo aspekt’’.

‘’Nëse unë bëhem kryetar, punën e parë që do ta bëjë në ndryshim të statutit është që presidenti të ketë mandat 4+4 vjet maksimumi, sepse mendoj se asnjëri nuk ka se çka jep ma shumë se kaq. Ne  duhet t’i përgatisim gjeneratat e reja me vizion të ri e më ndryshe, më përparimtare‘’, vazhdoi ai.

‘’Sa për financa nuk kisha dasht me fol asgjë sepse ajo është punë e auditorit’’, deklaroi Krasniqi në pytjen e Insportit rreth financave të KOK-ut, që janë një nga kritikat e shumta për mostransaparencë nga ana e Besim Hasanit, kryetarit aktual.

‘’Mirëpo unë mendoj që në KOK mungon diçka shumë e rëndësishme, mungon transpareca që është thelbësore në një shoqëri e sidomos në sport. Nuk ka afrim të njerëzve por largim e keqtrajtim, ndërhyrje të rrezikshme e jo të drejta në Federatat e ndryshme, ndërhyrje edhe në politikat e Federatave duke i prekur edhe në statutin e tyre, shpifje e të pavërteta e shumë sende të tilla që nuk i takojnë sportit’’.

‘’Nëse unë bëhem kryetar do të jem urë e bashkëpunimit ndër Federata, duke i bashku e jo duke i perça, duke ju ndihmu në çdo aspekt sepse tek e fundit nëse Federatat më zgjedhin atëherë kam obligim moral për ta, por edhe për të gjithë pa dallim. KOK-u duhet të jetë si ‘nëna e sportit’ ku fëmijtë e tij vijnë për këshillla pa frikë por me dashurinë më të madhe. Dera e Komitetit Olimpik të Kosovës do të jetë e hapur për secilin që dëshiron të kontribuoj në të miren e sportit, rinisë tonë dhe Kosovës’’, përfundoi Krasniqi për Insporti.

Zgjedhjet për të parin e KOK-ut pritet të mbahen gjatë këtij viti, më datë 31 mars. Për të ardhur deri te dita e zgjedhjeve, u votua plotë shtatë herë, pasi Besim Hasani u mundua ta shtynte datën e zgjedhjeve deri më 31 tetor. Këtë e tentoi me ‘mish e shpirt’, por nuk ia doli pasi nuk kishte votat e mjaftueshëm sa herë që e përsëriste votimin. Madje, edhe disa anëtarë të bordit të KOK-ut votuan kundër që zgjedhjet të mbaheshin më 31 tetor. /Insporti/

-->