Ky klub i IPKO Superligës së Kosovës ka pësuar 83 gola

Futboll 15 Prill 2019 11:07

IPKO Superliga e Kosovës javë pas jave është duke u bërë më interesante, me skuadra që po luftojnë për titull dhe mbijetesë.

Kampionati i futbollit kosovar tashmë po futet në fazën finale, fazë në të cilën do të qartësohen shumë gjëra.

Megjithatë, një gjë është e sigurtë që skuadra e KEK-ut nuk do të jetë pjesë e IPKO Superligës edhe në sezonin e ardhshëm, shkruan Insporti.com.

KEK-u javën e kaluar ka humbur gjasat edhe matematikisht për të qëndruar në Superligë, duke u renditur në pozitën e fundit me vetëm një pikë.

 

Skuadra nga Obiliqi sezonin e filloi me ‘turbulenca’ të shumta, në krye me trajnerin Enis Nasufin.

“Elektricistët” sezonin e filluan me humbje të thellë duke pësuar pesë gola nga skuadra kampione e Kosovës, KF Drita.

Enisi në shtatë ndeshjet e para të kampionatit arriti vetëm një fitore, atë ndaj KF Gjilanit me rezultat 3:2, e pastaj pësoi gjashtë humbje rradhazi.

Drejtuesit e klubit pas rezultateve të dobëta të treguara nga Nasufi, e shkarkuan duke emëruar trajner ish futbollistin, Alban Dragusha.

 

Së bashku me Dragushën, KEK-u bëri edhe transferime të shumta duke shpresuar në mbijetesë.

Por, ndërrimi i trajnerit dhe transferimit nuk mjaftuan që skuadra t’i shpëtojë rëniës nga Superliga.

KEK-u do të mbahet mend gjatë për këtë sezon tejet të dobët, pasi ka pësuar plotë 83 gola deri më tani, duke shtuar faktin tjetër se kanë vetëm një pikë të grumbulluar. Ndërsa, ka shënuar vetëm 20 gola në total.

Ky numër i golave të pësuar pritet të rritet, pasi kanë mbetur edhe gjashtë xhiro për t’u zhvilluar deri në fund të kampionatit.

Ndeshjen e radhës do ta zhvilojë ndaj lideri të tabelës, KF Feronikelit, si vendas dhe në pesë ndeshjet e fundit i ka të gjitha humbje. /Insporti.com/

 

Ndeshjet e radhës së KF KEK-ut:

KEK-u – Feronikeli

Flamurtari – KEK-u

KEK-u – Ballkani

Liria – KEK-u

KEK-u – Ferizaj

Trepça ’89 – KEK-u