Ky moment i Zhegrovës me tifozin kosovar iu ka shpëtuar

Futboll 24 Mars 2019 10:31

Reprezentuesi kosovar, Edon Zhegrova, nuk po kalon në formë të mirë në ndeshjet e fundit me Përfaqësuesen e Kosovës.

Zhegrova në barazimin me Danimarkën, zhvilloi 45 minuta për  t’i harruar sa më parë, pasi ishte një nga fajtorët për penalltinë e shkaktuar dhe në disa momente vendimtare nuk veproi siç duhej, duke neglizhuar shokët e skuadrës.

Për këtë paraqitje ylli i Baselit, u kritikua ashpër nga tifozët në rrjetet sociale, por ai duket se nuk po iu kushton edhe aq vëmendje.

 

Pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit, një fëmijë hyri në fushë dhe u vërshua drejt Zhegrovës, idhullit të tij, lojtarit që premton shumë në të ardhmen.

Kërkesa e atij fëmije ishte shumë e thjeshtë, të kishte diçka nga Edoni që do të mbante përgjithmonë në kujtime dhe Zhegrova ia plotësoi këtë dëshirë duke i dhuruar fanellën.

“Ndjenjë e mirë ta bësh një fëmijë të lumtur”, ka shkruar Zhegrova në Instagram pasi ia dhuroi fanellën tifozit të vogël.

Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës përfundoi me rezultat 2:2, në takimin e tyre të parë në histori, në miqësoren që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kujtojmë se “Dardanët” të hënën ( nesër) do të nisin fazën e kualifikuese për kampionatin evropian “Euro2020”, ndaj kombëtares së Bullgarisë, në stadiumin “Fadil Vokrri”. /Insporti.com/

 

 

-->