La Liga me vonesë uron golin e 300 të Ronaldo-s

Futboll 04 Mars 2018 10:01

Javën e kaluar në ndeshjen e Real Madrid kundër Alaves, madrilenët shënuan fitore me rezultat bindës 4-0, me ç’rast Cristiano Ronaldo ishte realizator i dy golave.

Më dy golat që Ronaldo shënoi kundër Alaves, ai arriti kuotën e 300 golave të shënuar në La Liga, duke u bërë futbollisti i vetëm në Spanjë pas Lionel Messi, që e arrin këtë shifër historike.

Klubi i Real Madrid i uroi menjëherë lojtari të saj për këtë rekord mahnitës, mirëpo nga drejtuesit e La Ligës nuk pati asnjë reagim javën e kaluar, pasi sipas statistikave të ligës spanjolle, Ronaldo kishte shënuar golin e 298 dhe 299-të.

Megjithatë në ndeshjen e djeshme në kuadër të xhiros së 27-të, Real Madrid shënoi fitore me rezultat 3-1 ndaj Getafe-s, ku Ronaldo përsëri shënoi dy gola.

Goli i parë i CR7, i shënuar në fundin e pjesës së parë të këtij takimi, u llogarit nga La Liga si i 300-ti dhe reagimi ishte i menjëhershëm, duke e uruar Ronaldo-n në rrjetin social Twitter të La Ligës spanjolle.

Më në fund faqja zyrtare e La Ligës i uroi rekordin Ronaldo-s, që njëherit është edhe pesë herë fitues i “Topit të Artë”.

Pas kësaj polemike, duket se për njërën palë, e që është lojtari dhe klubi i “Los Blancos”, ky rekord u arrit javën e kaluar. Kurse për palën tjetër, atë të drejtuesve të La Ligës, shifra mahnitëse prej 300 golave, u arrit vetëm në ndeshjen e djeshme. /Insporti.com

-->