Lajm shumë i mirë, formohet Goodyear Liga në automobilizëm

FASK 18 Janar 2020 16:57

Kryetari i Federatës së Auto Sportit të Kosovës (FASK), Ismet Rexhepi ka marrë një iniciativë shumë interesante, e cila padyshim që do të jetë e mirëseardhur për automobilistët kosovarë.

Numri një i FASK-ut ka arritur të sigurojë në sponsor shumë serioz për për krijuar në garë në të cilën pjesëmarrës do të jenë automobilistë nga pesë shtete.

“E kam menduar gjatë dhe duke i shfrytëzuar edhe raportet e mira që i kam me zyrtarët e kompanisë së njohur ‘Goodyear’ do ta themelojmë në Ligë ose Kupë në të cilën do të marrin pjesë garues nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, ndërsa emërtimi do të jetë ‘Goodyear Liga’ ose ‘Kupa Goodyear’, varësisht nga instruksionet që i marrim edhe nga FIA”, ka thënë Rexhepi për Insporti.com, i cili ka sqaruar edhe mënyrën e funksionimit.

“Do të jenë pesë gara të disiplinës malore (nga një në secilin shtet) dhe dy në drag – race (në Kosovë dhe Bullgari), ndërsa do të ketë edhe gara që Federatat përkatëse i organizojnë në kuadër të kampionateve të tyre”.

Kulla (në Kosovë), Kruja (në Shqipëri), Vodno (në Maqedoni) dhe Kotori (në Mal të Zi) do të jenë garat e disiplinës malore që poenton edhe në FIA CEZ.

Rëndësia e kësaj gare do të jetë e shumëfishtë, pasi pjesëmarrësit me një paraqitje mund të fitojnë pikë për tri kampionate. “Është e rëndësishme që garuesit që marrin pjesë në këtë garë do të poentohen për kampionatin e FIA CEZ, për Goodyear Ligë dhe për kampionatet e tyre vendore, pra me një paraqitje do të kenë poentim të trefishtë. Përveç kësaj, për fituesit do të ketë edhe shpërblime, ndërsa edhe përvoja do të jetë shumë interesante, pasi konkurrenca do të jetë më e fortë”, ka shtuar Rexhepi.

Fillimisht ishte ideja që pjesëmarrëse të jenë të gjitha shtetet e dala nga Ish-Jugosllavia, por për shkak të konfiguracionit gjeografik dhe pajisjes me viza, është vendosur që Goodyear Liga të formohet me këto pesë shtete.

Pas takimeve të mbajtura në Tiranë, Shkup dhe së fundi në Prishtinë, kanë mbetur edhe disa detaje para se gara të zyrtarizohet dhe të ketë edhe selinë e saj, e cila me shumë gjasë do të jetë në Prishtinë./Insporti/

 

-->