Lakers pranë blerjes së Anthony Davis edhe Kemba Walker

NBA 16 Qershor 2019 13:44

Ajo që përflitet prej kohësh po bëhet realitet. Anthony Davis do t’i bashkohet LeBron James te Los Angeles Lakers. Skuadra kaliforniane e ka bindur New Orleans duke ofruar Brandon Ingram, Lonzo Ball, Josh Hart si dhe tre zgjedhjet e para, duke përfshirë edhe numrin 4 të këtij viti.

Lakers mposhtin kështu konkurrencën e Boston Celtics, që nuk pranojnë ta lëshojnë “xhevahirin” e tyre, Jason Tatum. Me këtë lëvizje, sipas “bookemakers”, Lakers bëhen favoritë për sezonin e ardhshëm, por gjithsesi merkatoja nuk ka përfunduar.

Është po Los Angeles që dëshiron të nënshkruajë me një tjetër “yll”, përveç lojtarëve të rolit, siç është Derrick Favors i Utah Jazz. Pëlqehet shumë Kyrie Irving (është vetëm një hap larg Brooklyn Nets), por favorit mbetet Kemba Walker.

Do të kishte dashur të qëndronte te Charlotte Hornets, por ekipi i legjendës Michael Jordan nuk i ofron pagën maksimale. Të luash përkrah LeBron James dhe Anthony Davis perspektiva bëhet mjaft tërheqëse.

Pritet me ankth nëse kampioni i saposhpallur i NBA, Kawhi Leonard, do të qëndrojë te Raptors, apo Kevin Durant e Klay Thompson, të përndjekur nga dëmtime të rënda, do të largohen nga Golden State Warriors. 4 korriku është ende larg, por poshtë koshit kanë nisur të ndizen fishekzjarret e merkatos.