Lakers triumfon sërish ndaj Rockets, Durant rikthen Brooklyn te suksesi

NBA 13 Janar 2021 12:00

Houston Rockets dhe Los Angeles Lakers përballen për herë të dytë këtë sezon dhe edhe në “Toyota Center” ishin sërish kampionët në fuqi ata që ia dolën të triumfojnë me shifrat 100-117, ndërsa vendasit treguan sërish dobësi.

LeBron James ishte protagonist absolut për kalifornianët, pasi shënoi 26 pikë, rikuperoi 8 topa dhe dha 5 asiste, shifra që mund të ishin edhe më të mira po të mos ishte ulur në pankinë në pjesën e fundit për t’u ruajtur nga një dëmtim.

Një ndeshje mjaft të mirë bëri edhe ylli tjetër i skuadrës kaliforniane Anthony Davies, ndërsa lideri i Houston Rockets, James Harden vijon të kalojë një moment të errët, pasi nuk shkoi dot përtej 16 pikëve të shënuara.

Një sfidë mjaft spektakolare u zhvillua edhe në “Wells Fargo Center” mes Philadelphia 76ers dhe Miami Heat, dy skuadra që vinin në këtë ndeshje të gjymtuara nga dëmtimet dhe protokolli i koronavirusit, që për më tepër patën nevojë edhe për 5 minuta shtesë që të përcaktonin fituesin.

Sfida ishte vërtetë e balancuar, me vendasit që fituan fraksionin e parë dhe të tretë, ndërsa miqtë nga Miami të dytin dhe të katërtin, ndaj koha e rregullt përfundoi në barazim 120-120, ndërsa koha shtesë u buzëqeshi 76ers-ave që fituan të gjithë ndeshjen me shifrat 137-134.

Një formë të shkëlqyer shfaqi basketbollisti kamerunas Joel Embiiid, që shënoi plot 45 pikë, rikuperoi 16 topa dhe dha 4 asiste, duke qenë protagonist absolut i suksesit të Philadelphia 76ers.

Demar DeRozan vijon të mungojë për San Antonio Spurs, por këtë herë skuadra e drejtuar nga Gregg Popovich nuk e ndjeu aspak, pasi ia doli të triumfojë me shifrat 102-112 në transfertën ndaj Ocklahoma City Thunder.

Lonnie Walker u shfaq protagonist për Spurs-at në këtë takim, pasi e mbylli ndeshjen me 24 pikë të shënuara, ndërsa Ocklahoma City Thunder nuk ia doli të vijojë më tej serinë prej 3 fitoresh radhazi.

Nuk arriti të vijojë ecurinë pozitive as Golden State Warriors, që u mposht në shtëpi me shifrat 95-104 ndaj Indiana Pacers. Kalifornianët e nisën shumë mirë ndeshjen dhe fituan fraksionin e parë, por më pas u venitën gradualisht, kjo edhe për faktin se ylli i ekipit, Stephen Curry nuk arriti të ngjitej në nivelin e pritshmërive.

Pas dy humbjesh radhazi, Brooklyn Nets ia doli të rikthehet te fitorja, pasi mposhti në “Barclays Center” Denver Nuggets me rezultatin 122-116. Miqtë nga Denver e nisën mjaft mirë ndeshjen dhe fituan dy fraksionet e para me rezultatin identik 27-35, por reagimi i Nets ishte fantastik në gjysmën e dytë të lojës.

Protagonist absolut ishte ylli i Brooklyn, Kevin Durant, i cili shënoi 34 pikë, rikuperoi 9 topa në tabelë dhe dha 13 asiste, ndërsa serbi Jokic nuk shkoi përtej 23 pikëve, 8 rikuperimeve dhe 11 asisteve.

-->