Lampardi e zbulon objektivin e Chelseat në Ligën e Kampionëve

Futboll 16 Shtator 2019 17:51

Frank Lampard ka folur në konferencë për shtyp para takimit të Chelseat me Valencian në Ligën e Kampionëve.

Chelsea e pret nesër mbrëma Valencian në ‘Stamford Bridge’, në ndeshjen e parë të grupit H, përcjell Insporti

Trajneri i ‘Bluve’, Frank Lampard ka thënë se klubi ka atë çka i nevojitet për ta kaluar grupin dhe për të avancuar në fazën me eliminim direkt.

Gjiganti anglez ndodhet në grup me Ajaxin, Lillen dhe Valencian. Lampardi e pranoi sfidën e përballjes me këto tri ekipe por me lojtarët me përvojë që Chelsea ka në këtë garë si dhe të rinjtë që janë në formë të mirë, kualifikimi është synimi i ekipit.


Mason Mount, Fikayo Tomori e Tammy Abraham, tre të rinjtë që po shkëlqejnë nën drejtimin e Lampardit

“Liga e Kampionëve ka një natyrë krejt tjetër. Gjëja kryesore që e kam vërejtur si lojtar është se koncentrimi dhe niveli i fokusit në çdo ndeshje duhet të jetë maksimal”, theksoi Lampardi.

“Kjo nuk do të thotë se këto gjëra janë më të lehta në Premierligë dhe ato nuk të kushtojnë, por niveli më i lartë i lojtarëve në Ligën e Kampionëve dhe stili i ndryshëm i lojës nganjëherë mund të ju befasojnë”.

“Ka disa ekipe që janë fantastike në kundërsulme dhe mund të ju ndëshkojnë për një sekond kur ju mendoni se jeni në kontroll, kështu që fokusi do të jetë pika kryesore që do të kem”, shtoi ai.

‘Të kaltërit’ do të jenë pa njërin prej lojtarëve më me përvojë, Toni Rudiger, i cili u largua nga fusha në ndeshjen me Wolves, derisa do të mungojë edhe Emerson.

Lampardi po ashtu konfirmoi se Callum Hudson-Odoi, Reece James dhe N’Golo Kante janë rikthyer nga lëndimet, por nuk do të jetë të gatshëm për këtë ndeshje. /Insporti.com/