Largoi Maticin dhe shpenzoi 40 milionë për një lojtar që s’mund të pasojë – dështimi i madh i Chelseat

Futboll 06 Shkurt 2018 17:17

Chelsea ka shpenzuar 40 milionë funte në Tiemoue Bakayokon, në sezonin e njëjtë kur largoi Nemanja Maticin. Por, për dallim nga mesfushori serb, i cili nuk ka bërë asnjë gabim që i ka kushtuar ekipit të tij, dështimi i Bakayokos është një prej arsyeve pse Chelsea po kalon një sezon katastrofal.

Të hënën mbrëma, skuadra e Antonio Contes pësoi humbje shokuese nga Watfordi, duke vënë në dyshim të madh qëndrimin e italianit te klubi, shkruan Insporti

Chelsea pësoi 4:1 në udhëtim, e dyta humbje rresht në Premierligë, pas disfatës të pësuar me rezultat 0:3 nga Bournemouth në “Stamford Bridge”.

Në humbjen e fundit ndaj Watfordit, një prej faktorëve kryesorë ishte mesfushori francez, Tiemoue Bakayoko, të cilin klubi i Abramovich e transferoi si pasuesin e Nemanja Maticit, i cili u ribashkua me Jose Mourinhon te Manchester United.

Por, krahasuar me Matic, i cili nuk ka bërë asnjë gabim që ka rezultuar në gol [apo gjuajtje direkte nga kundërshtari], gabimet e Bakayokos po i kushtojnë rëndë ekipit nga Londra.

Në humbjen ndaj Watfordit, mesfushori 23-vjeçar kompletoi vetëm 66.67 për qind të pasimeve, që është një rekord tejet i dobët për një mesfushor. Ai humbi posedimin e topit shtatë herë, për 30 minutat sa ishte në fushë.


Gabimi i Bakayokos në takimin Watford – Chelsea, ku i mundësoi kundërsulmin ekipit kundërshtar

Bakayoko bëri dy gabime trashanike të hënën. Në gabimin e parë, ai i mundësoi një kundërsulm ekipit vendas, kurse, në të dytin, ai nuk arriti ti pasojë topin bashkëlojtarit David Luiz, i cili ishte i lirë.

Francezi në fakt rezultoi të jetë futbollisti më kreativ i Watfordit për 30 minutat sa ishte në fushë, duke bërë që edhe futbollistët e Chelseat të mos i pasonin më topin.

Por, si arriti që një lojtar aq i mirë me Monacon sezonin i kaluar, të bëhet një performues kaq i dobët në këtë edicion? Kush vendosi që ai të jetë njeriu i duhur për Chelsean? Dhe përse e larguan Nemanja Maticin – duke e larguar te një rival – për ta sjellur atë te klubi?

Bakayoko u transferua si një ndër mesfushorët më të vlerësuar në Evropë në verë, por në ndeshjen e fundit, nuk bëri asnjë ndërhyrje të suksesshme, nuk bëri asnjë bllokim dhe kompletoi vetëm dy pasime.

Pas 20 paraqitjeve në Premierligë, francezi deri tani ka vetëm 2 gola dhe 2 asiste, derisa për paraqitjet e tij vazhdimisht është kritikuar edhe nga legjenda e klubit, Frank Lampard.

Në Premierligën angleze, ai renditet në pozitën e 16-të të futbollistëve që kanë bërë më së shumti gabime që kanë rezultuar në gjuajtje të kundërshtarit, dhe mban pozitën e njëjtë në listën e lojtarëve që kanë bërë gabime që kanë rezultuar në gola.

Matic, në anën tjetër, ka bërë 50 ndërhyrje ndaj kundërshtarit, krahasuar me 29 të Bakayokos, derisa ky i fundit ka kompletuar 937 pasime krahasuar me 1861 të mesfushorit serb.

Bakayoko nuk është lojtari i parë që vuan pas transferimit në Stamford Bridge, dhe nuk do të jetë as i fundit. Por, përse Chelsea largoi Maticin për ta transferuar atë, ende nuk dihet. /Insporti.com

-->