Latifi flet për kërcënimet me vdekje që mori pas aksidentit në Abu Dhabi

Sporte të tjera 22 Dhjetor 2021 13:58

Ngasësi i Formula 1, Nicholas Latifi ka folur lidhur me kërcënimet me vdekje dhe abuzimet që i janë bërë në rrjetet sociale për aksidentin që ndodhi në Abu Dhabi, transmeton Insporti.

Para aksidentit, Hamilton po marshonte drejt titullit të tetë të kampionit në Formula 1.

Aksidenti i tij ndikoi që Max Verstappen i Red Bullit të fitonte titullin e kampionit para Lewis Hamiltonit. Latifi, bëri që në shteg të futej vetura e sigurisë, në fazën finale të garës. Kjo i dha rast Verstappenit të kalonte Hamiltonin e Mercedesit në xhiron e fundit.

Në një komunikatë, Latifi ka thënë se ka vendosur të adresojë çështjen, pasi qëndroi jashtë rrjeteve sociale deri në kthimin e qetësisë.

“Kam pranuar mijëra mesazhe në llogaritë e mia në rrjetet sociale. Shumica ishin përkrahëse, por ka pasur shumë urrejtje dhe abuzim po ashtu”, ka shkruar 26-vjeçari.

“Siç e kemi parë herë pas here në sporte të ndryshme, mjafton një incident në kohën e gabuar që gjërat të dalin nga kontrolli dhe të nxjerrin më të keqen te njerëzit që veten e quajnë tifozë. Ajo që më ka shokuar më së shumti ishte toni ekstrem i urrejtjes, abuzimit dhe madje edhe kërcënimeve me vdekje që mora”, ka vazhduar Latifi.

Latifi i ka kërkuar falje skuadrës për përplasjen, ndërsa ka theksuar se pjesa tjetër ishte jashtë kontrollit të tij.

“Shumë prej mesazheve që mora javën e kaluar kanë kaluar kufirin, ishin shumë ekstreme. Brengosem se si sportistë të tjerë do të reagonin nëse një abuzim i tillë u bëhet në të ardhmen”.

-->