Latifi pëson lëndim të rëndë, operimi i pashmangshëm

Futboll 24 Tetor 2020 08:15

Flamurtari ndodhet në rrugë të mirë për t’u rikthyer në kampionatin elitar, derisa ka regjistruar rezultate pozitive në këtë fillim sezoni në Grupin B të Ligës së Parë dhe është njëri ndër favoritët kryesor për pozitën e parë të këtij divizioni shkruan gazeta Sheshi.

Megjithatë, kryeqytetasit ndodhen në ‘shok’ të vërtetë pas informacioneve të fundit që vijnë nga infermieria në lidhje me futbollistin Arnis Latifi.

Mesfushori gjilanas ka mësuar pas rezonancës magnetike se këputur ligamentet e gjurit dhe duhet të futet sa më parë në operim.

Arnis Latifi në ndeshjen ndërmjet Flamurtarit dhe Vitisë

22 vjeçari ka konfirmuar në një bisedë për Gazetën “Sheshi” lëndimin e tij, teksa shpreson të shkojë gjithçka mirë në operim dhe më pas të punojë shumë për t’u rikthyer sa më parë.

“E kam ndjerë një goditje të fuqishme në gju gjatë javës së shkuar në ndeshjen ndaj Dardanës dhe menjëherë u zëvendësova. Nuk kisha dhimbje të mëdha, por as forcë për të vazhduar tutje. Pas disa kontrollova dhe inçizimeve magnetike më është konfirmuar se kam këputur ligamentin ACL dhe duhet të operohem sa më parë”, deklaroi fillimisht Latifi.

Arnis Latifi në ndeshjen ndërmjet Vllaznisë dhe Flamurtarit

“Brenda javës besoj që do të futem në operim, mirëpo njëherë duhet t’i bëj disa ushtrime për ta forcuar këmbën para operimit. Po shpresoj që gjithçka do të shkojë mirë dhe rikthimi në fushat e blerta të jetë sa më i shpejtë, pasi kjo goditje më ka rënduar shumë”.

Latifi, i cili karrierë ka bërë në shumë kampionate evropiane si në Belgjikë, Çeki dhe Kroaci thotë se do të punojë shumë për të vazhduar me karrierën e tij, derisa falenderon të gjithë ata që po e mbështesin në ditët më të vështira të karrierës.

Arnis Latifi në ndeshjen ndërmjet Flamurtarit dhe KEK-ut

“Shumë persona më kanë qëndruar pranë dhe për këtë jam falenderues, pasi që nuk është e lehtë për mua. Shpresoj që do t’ua kthej me punë dhe sukses në të ardhmen”, përfundoi Latifi.

Latifi i’u bashkua Flamurarit në edicionin e kaluar nga skuadra kroate NK Solin.

-->