LeBronophobia – Toronto pëson në sekondën e fundit (VIDEO)

Basketboll 06 Maj 2018 10:17

Nëse mund të gjendet një faktor mbizotërues dhe një emërus i përbashkët pse Toronto Raptors nuk kanë sukses në plejof, ky faktor është LeBron James.

LeBron James e ka udhëhequr ekipin e tij, Cleveland Cavaliers drejt fitores së shtatë në duele direkte dhe eliminimin e dytë të njëpasnjëshëm në plejof. Cleveland tani ka epërsi 3:0 në seri dhe i duhet vetëm edhe një fitore për tu plasuar në finale të Konferencës Lindore.

LeBron James, i cili lirisht mund të thuhet se është shndërruar në barrierë të pakalueshme psikologjike për ekipin e Dëayne Caseyt, mbrëmë shënoi 38 pikë, 6 kërcime dhe 7 asistime.

Sidoqoftë, shfaqja e Jamesit nuk i mjaftoi Clevelandit për fitore bindëse në këtë ndeshje. Madje madje, takimi u vendos në sekondën e fundit, kur rezultati ishte 103:103 dhe LeBron shënoi nga distanca për ti dhënë fitoren e ekipit të tij.

Po kaq emocionuese ka qenë edhe sfida në “Wells Fargo Center” ndërmjet 76ers dhe Celtics, që u mbyll me fitoren 98-101 të Bostonit pas kohës shtesë.

Një ndeshje krejtësisht e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që shkëmbyen kryesimin të paktën 10 herë gjatë ndeshjes. Koha e rregullt përfundoi 89-89, ndërsa në shtesë basketbollistët e rinj të 76ers nuk e patën pjekurinë e duhur, duke humbur disa topa të thjeshtë, që u dhanë mundësinë lojtarëve të Bostonit të fitonin në fund me tri pikë diferencë.

E kotë në fund edhe përpjekja e Belinellit, që nga mesfusha, për të barazuar rezultatin, me Celtics që mund të mbyllin llogaritë në takimin e radhës, që do të zhvillohet sërish në parketin e Philadelphias.