Leci: Zymberi vinte nga HibPetroli e volejbolli – tani sillet si Igli Tare

Futboll 19 Korrik 2020 23:28

Lirdon Leci nuk është më pjesë e Dritës. Leci këtë e ka konfirmuar në emisionin “Sporti në KTV” se më nuk është pjesë e ish kampionit të Kosovës.

Leci ka akuzuar rëndë trajnerin Ardian Nuhiu dhe drejtorin e klubit, Valon Zymberin se kanë krijuar aleancë mes vete dhe se janë duke e shkatërruar skuadrën.

Leci ka ironizuar me drejtorin sportiv Zymberi, duke thënë se ai po bën veprime si të ishte Igli Tare (drejtor sportiv në Lazio).

“Në fillim ka qenë një Valon Zymber tjetër, me këmbë në tokë, që vinte nga HIB Petroli e volejbolli, ndërsa tani sillet si Igli Tare. Ai më tha që ka gisht në vendimin për suspendimin tim”, deklaroi Leci, transmeton Insporti.com.

Ndodh në derbi, Liridon Leci provokon keq tifozët e Gjilanit ...

Leci është suspenduar nga Drita pas ndeshjes me KF Llapin.

Drejtori sportive i Dritës, Valon Zymberi për Insportin kishte deklaruar se nuk ka asnjë problem me mbrojtësin e majtë.

Leci nuk ishte përfshirë në listën e futbollsitëve të gatshëm për ndeshjen me Llapin, ndeshje e vlefshme e xhiros së 28-të.

“Sot, trajneri Ardian Nuhiu ka vendosur që të mos e rrezikojë duke e lënë në bankën rezervë, vendim me të cilin nuk është pajtuar lojtari duke kërkuar që të mos përfshihet fare në ekip. Këtë vendim të tij trajneri Nuhiu e ka respektuar dhe Leci nuk është i përfshirë në ndeshjen ndaj Llapit”, kishte deklaruar Zymberi për Insportin.

Largimi i Lecit dy xhiro para se të përfundon kampionati është një goditje e madhe për “Intelektualët”, duke ditur se janë në garë për titull të kampionit.

Leci ka fituar titullin e kampionit me Dritën dy vite më parë.

Në të kaluarën ka qenë pjesë e Prishtinës, Hajvalisë.

Drita është lidere e Superligës me 65 pikë. /Insporti.com/

-->