Leclerc flet pas garës: “Nuk kisha zgjidhje tjetër”

Formula 1 15 Prill 2019 10:30

Sensacioni i Formula 1 në këtë vit piloti francez, Charles Leclerc, po mahnit me talentin në tij në drejtimin e “kokëkuqes”.

Piloti i Ferrarit përfundoi në pozitën e pestë në Çmimin e Madh të Kinës, por kjo si pasojë e urdhërave të drejtuesve së skuadrës italiane.

Leclerc ishte urdhëruar që t’ia “hap krahun” shokut të skuadrës pilotit gjerman Sebastian Vettel, i cili përfundoi në pozitën e tretë.

22 vjeçari është deklaruar duke thënë se ai respekton vendimin e skuadrës dhe ishte vendim strategjik për ta ndaluar Mercedesin.

“Jemi një ekip dhe menduam për rezultatin më të mirë për të gjithë skuadrën. Për mua gjërat nuk shkuan ashtu sikurse unë mendoja në fillim, ndaj nuk kisha zgjidhje tjetër. Qëndrova gjatë në pistë me gomat e vjetra për të ndalur Mercedes dhe ndihmuar Vettel. Kjo nuk ishte gara që unë kisha parashikuar, ndaj vendosëm të ndryshojmë strategji gjatë garës dhe të lija Vettel”, tha Leclerc.

Tutje, ai ka shtuar se Mercedes ishte më i shpejtë edhe pse Vettel bëri mirë duke përfunduar në podium.

“Parakalime të tilla janë të vështira për t’u menaxhuar, por duke parë se kisha dëmtuar gomat vendosa të zbatoj urdhërat e skuadrës. Vettel ishte më i shpejtë dhe arriti të ngjitet në podium. Gjithsesi, Mercedes ishte më i shpejtë dhe kjo është ajo që duhet të kuptojmë, se përse nuk po arrijmë të fitojmë në kampionat”, përfundoi Charles Leclerc. /Insporti.com/