Leclerc në pole position në Monza

Formula 1 07 Shtator 2019 21:59

Në pistën e Monza u zhvilluan sot provat zyrtare të Çmimit të Madh të Italisë në Formula 1. Charles Leclerc pati kohën më të shpejtë në përfundim të provave, 1’19”307, duke siguruar edhe “pole position”, i dyti radhazi për të pas atij të një jave më parë në Belgjikë (i katërti në karrierë).

Piloti i Ferrarit ishte i pakapshëm, bëri një paraqitje të shkëlqyer, duke lënë pas dy pilotët e Mercedes. I dyti u klasifikua Lewis Hamilton, me vetëm 39 të mijtat më i ngadalshëm, ndërsa i treti u rendit shoku i tij i skuadrës, Valtteri Bottas (49 të mijtat pas Leclerc).

Vetëm i katërti Sebastian Vettel me makinën tjetër Ferrari, por pranë tre të parëve me kohë. Në këto prova nuk mori pjesë fare Max Verstappen me Red Bull, që do ta nisë garën i fundit, pasi ka ndryshuar motor. Në sesionin e fundit spikat aksidenti i Kimi Raikkonen, por pa pasoja (i dhjeti).