Legjenda e klubit thotë se Guardiola mund ta marrë drejtimin e Juventusit

Futboll 06 Qershor 2019 10:14

Ish-mbrojtësi i Juventusit, Andrea Barzagli, insiston se pozita e trajnerit te “Zonja e Vjetër” ende nuk është vendosur dhe ai beson se ka ende mundësi që në këtë pozitë të emërohet trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola.

Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri, besohet se është favoriti për ta zëvendësuar Massimiliano Allegrin në pozitën e trajnerit të kampionit të Serisë A për sezonin e ardhshëm.

Megjithatë, për këtë pozitë po përflitet edhe trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, përkundër që ai e ka mohuar se do të largohet nga kampioni i Premierligës këtë verë. Mbrojtësi i pensionuar, Barzagli, i nxiti sërish spekulimet për trajnerin spanjoll, duke e theksuar transferimin tronditës të Cristiano Ronaldos si dëshmoi që gjithçka mund të ndodhë në futboll.

“Njerëzit mund ta marrin Sarrin si punë tashmë të kryer, por ende s’është marrë asnjë vendim dhe ka ende shumë emra të cilët po përmenden”, ka thënë Barzagli për La Gazzetta dello Sport.

“Drejtuesit e bardhezinjve nuk e kanë bërë pothuajse asnjë gabim gjatë viteve të fundit dhe sipas mendimit tim, ata do ta zgjedhin njeriun e duhur: Nëse ai person do të jetë dikush me ide të reja apo të njëjta, këtë nuk e di”.

“Nuk e di si është situata në Juventus, por unë dëgjoj të flitet për Guardiolën dhe është mirë të ëndërrosh. Në fund të fundit, askush nuk besonte vitin e kaluar se Cristiano Ronaldo do të vinte, por ëndrrat bëhen realitet. Do ta shohim kur klubi ta bëjë zyrtarizimin”.

-->