Legjendës së NBA-së i dhurohet fanella e Kosovës

Kombëtarja 02 Dhjetor 2021 13:32

Nash pranon me kënaqësi fanellën e Kosovës.

Steve Nash, trajner i Brooklyn Nets dhe dy herë lojtari më i vlefshëm i NBA-së ka pranuar fanellën e Kosovës nga ish-hendbollisti, tenisti dhe basketbollisti i shquar kosovar me qëndrim në SHBA, Shkumbin Mustafa, si dhuratë nga miku i tij nënkryetari i KB Sigal Prishtina, Shkumbin Jakupi dhe Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu.

Legjenda e NBA-së, Steve Nash ishte tetë herë pjesëmarrës në All-Star, ndërsa ka luajtur për 18 edicione në Ligën më të forta në botë për Phoenix Suns, Dallas Mavericks dhe Los Angeles Lakers, ndërsa nga viti 2020 është trajner në Brooklyn Nets.

Ai ishte lojtari më i vlefshëm në vitet 2005 dhe 2006, sa ishte pjesë e Suns, ndërsa pesë herë ishte asistuesi më i mirë në NBA.

Kanadezi pranoi me kënaqësi fanellën e Kosovës, duke e uruar për suksese.

Kujtojmë se Dardanët së fundi shënuan fitore të madhe, duke mundur Danimarkën me rezultat 78:73.

-->