Lëndimi i Sterling – flet Guardiola

Futboll 08 Shkurt 2020 09:31

Dëmtohet Raheem Sterling dhe futbollisti i Manchester City-t do të mungojë për disa javë nga fushat e lojës. 25-vjeçari i cili u transferua në verën e vitit 2015 nga Liverpooli në radhët e “citizens” nuk do të jetë për disa javë në radhët e “Sky blues”.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë trajneri i City-t Pep Guardiola, që konfirmoi se Raheem Sterling do të mungojë për disa javë për shkak të një tërheqjeje, të pësuar në duelin e fundit me Tottenham-in, në Londër, ku lojtari me origjinë xhamajkane u pa të linte fushën i dëmtuar, duke u zëvendësuar gjashtë minuta para përfundimit nga Bernardo Silva, takim ku “Qytetarët” ndonëse dominuan ndeshjen dhe madje shpërdoruan edhe një 11-metërsh në pjesën e parë me mesfushorin Ilkay Gundogan, përsëri dolën të mundur nga kryeqyteti, pasi “gjelat” realizuan dy herë në gjysmë orën e fundit të lojës, për të fituar sfidën me shifrat 2-0.

Vetë trajneri katalanas nuk saktësoi asgjë në lidhje me një rikthim të shpejtë të mundshëm të lojtarit të krahut dhe thjesht u mjaftua duke shtuar se do të nevojiten javë për një riaftësim të plotë të futbollistit, por se sa për momentin nuk dihet, deklaroi Guardiola. Kontrollet e mëtejshme mjekësore pas ndeshjes së ditës së diel në fakt konfirmuan një tërheqje të pësuar në këmbën e majtë. City ka patur një rënie të theksuar në rezultate krahasuar me sezonin e kaluar dhe kampionët në fuqi aktualisht kanë plot 22 pikë më pak në klasifikimin e përgjithshëm, kundrejt Liverpulit, që mund të fitojë trofeun e parë në historinë e Premier League-s që në muajin mars.

-->