Letra kërkim faljes e Oso Gjinovcit

Kombëtarja 28 Janar 2020 18:05

Biletat, fluturimi dhe lojtarët ishin gati për të marrë rrugën për Gjeorgji, por disa shkrepje të fotografive u kanë prishur disi planet lojtarëve të Përfaqësueses së Kosovës në futsall. Gjatë orëve të mëngjesit të ditës së sotme, lojtarët e Kosovës janë fotografuar duke pirë cigare në aeroportin “Adem Jashari”, shkruan Insporti.com.

Publikimi i fotografive duke pirë cigare nga reprezentuesit e Kosovës ka shkaktuar një lloj tërmeti në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe për vetë akterët e fotografive. Ky veprim i tyre ka ngjallur reagime të shumta në rrjete sociale.

Në mesin e atyre që shihen fotografi, është edhe ndër lojtarët kryesorë të Përfaqësueses, Oso Gjinovci.

Gjinovci është penduar dhe në adresën e Insportit ka dërguar një letër përmes të cilës ka kërkuar falje për veprimin e tij dhe të bashkëlojtarëve.

Në letrën e Gjinovcit thuhet se janë penduar për atë veprim dhe kërkojnë falje. Po ashtu, pirja e cigares thuhet se është bërë për shkak se Malush Qerimi sot feston ditëlindjen e tij dhe se nuk janë konsumues të cigares.

Përveç, Osos, në fotografi janë edhe Dardan Topilla dhe Bajram Ramadani.

Insporti më poshtë ju sjell letrën e Oso Gjinovcit:

Në emër të bashkëlojtarëve, unë Oso Gjinovci kërkoj falje për atë se çfarë ka ndodhur sot në aeroport, para udhëtimit tonë për në Gjeorgji. Kjo çfarë kemi bërë ne, nuk është dashtë të ndodhë, është një gabim për të cilin kërkojmë falje. Ne nuk jemi konsumues të rregullt të cigares. Arsyeja pse ne sot jemi parë duke e bërë atë veprim, është ditëlindja e bashkëlojtarit tonë Malush Qerimi. Jemi të vetëdijshëm se ky veprim nuk është një mesazh që duhet të dërguar te gjeneratat e reja, pasi ne përfaqësojmë shtetin e Kosovës, me shumë përgjegjësi dhe krenari. Ne do të tentojmë që këtë gabim, ta përmirësojmë në parket gjatë këtyre kualifikimeve. Më lejoni që ne në shumë raste kemi udhëtuar dhe kemi zhvilluar ndeshje për Kosovën me mjete financiare vetanake, këtë nuk e kemi përmendur asnjëherë dhe prapë jemi në gjendje të bëjmë një gjë të tillë, pasi për ne më e rëndësishme është fanella e Kosovës. Për fund, ju kërkoj edhe njëherë falje dhe ju garantoj se nuk do të përsëritet ky veprim në të ardhmen.

Në lidhje me këtë rast, ka reaguar edhe sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, i cili e ka cilësuar si një veprim të gabuar por që nuk mund t’ua ndalojnë pirjen e cigares.“Me të vërtete është një gjë e pahijshme. Nuk është në rregull aspak. Lojtarët në momentin që prezantojnë Kosovën, kanë të veshur fanellën e Kosovës assesi nuk iu lejohet të pinë duhan në vendet publike, është e pa tolerueshme mirëpo ne nuk mund të jua ndalojmë atyre duhanin në jetën e tyre private. Nuk mund t’i dënojmë menjëherë. Ata nuk kanë bërë aspak mirë. Do të bisedojmë me përzgjedhësin, Ramdan Cimilin dhe të ju japim vërejtje lojtarëve që kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje”.

Përfaqësuesja e Kosovës në futsall sot është nisur për në Gjeorgji, atje ku do të marrë pjesë në raundin e parë kualifikues për kampionatin Evropian të futsallit “Euro 2022”.

Në këto kualifikime ‘Dardanët’ e futsallit do t’i luajnë tri ndeshje: kundër Austrisë më 29 janar, në orën 16:00, kundër Gjermanisë, më 30 janar, po ashtu në orën 16:00 dhe kundër Gjeorgjisë, më 2 shkurt, në orën 22:00. /Insporti.com/

-->