Lionel Messi më i pasur se Cristiano Ronaldo

Futboll 23 Prill 2018 14:21

Revista prestigjioze franceze, “France Football”, ka shpallur futbollistin më të paguar në botë për sezonin 2017/18 dhe kjo revistë studimin e saj për listën e futbollistëve që kanë përfituar më shumë të ardhura financiare, e ka bazuar te paga bruto e futbollistëve, shpërblimet dhe të ardhurat nga kontratat me kompanitë e marketingu, që këta lojtarë kanë përfituar gjatë këtij sezoni.

Nga përllogaritjet rezulton se, Messi e ka tejkaluar shifrën e 100 milionë eurove, më saktësisht ai ka përfituar 126 milionë euro dhe e ka zbritur në vendin e dytë Cristiano Ronaldon, i cili kishte qenë i pari vitin e kaluar.

Këtë sezon, ylli i Real Madrid, ka siguruar 94 milionë euro dhe renditet i dyti, derisa podiumin e plotëson braziliani Neymar, që ka përfituar 81.5 milionë euro dhe radhitet në vendin e tretë.

Klasifikimi vijon me një tjetër futbollist të Realit të Madridit, Gareth Bale, i pozicionuar në vendin e katërt me 44 milionë euro, duke lënë pas qendërmbrojtësin e Barcelonës, Gerard Pique, me 29 milionë euro.

Për sa u përket trajnerëve, sipas “France Football”, më i paguari për këtë sezon është tekniku i Manchester United, Jose Mourinho, me 26 milionë euro, i ndjekur nga Marcelo Lippi i përfaqësueses kineze, me 23 milionë në vendin e dytë, si dhe Diego Pablo Simeone i Atletico Madrid, me 22 milionë euro në vendin e tretë.

Pesëshja e trajnerëve më të paguar për sezonin 2017/18, plotësohet nga Zinedine Zidane i Real Madrid me 21 milionë euro dhe Pep Guardiola i Manchester City, që ka siguruar 20 milionë euro të ardhura. /Insporti.com

-->