Liverpool – Bayern, çfarë ka thënë Klopp për Shaqirin që luan ndaj ish-skuadrës

Futboll 19 Shkurt 2019 11:02

Ish-trajneri i Borussia Dortmundit, Jurgen Klopp, do të ndeshet ndaj një rivali të vjetër, derisa Shaqiri do të ketë përballë ish-ekipin e tij, me të cilin e kishte fituar Ligën e Kampionëve.

Liverpooli e pret Bayern Munichun në ‘Anfield’ sonte mbrëma, për takimin e parë të 1/8-ës së finales në garën më elitare të futbollit në Evropë.

Pas shortit që ishte hedhur në muajin dhjetor në Nyon të Zvicrës, Jurgen Klopp e kishte komentuar edhe faktin se Shaqiri do të ndeshet ndaj ish-skuadrës.

Sonte, ‘Shaqa’ pritet që ta nisë takimin nga banka rezervë, derisa në Champions ai e ka startuar vetëm një ndeshje këtë sezon [ndaj Crvena Zvezdas në Anfield].

“E vështirë. Short i mirë. Ishte e qartë se do të ishte e vështirë dhe ata janë një top ekip. Për mua do të jetë i mirë, kthimi në Gjermani. Ne tani duhet të përgatitemi për ndeshjen, ka shumë kohë sigurisht, dhe shpresoj se deri atëherë do t’i kemi të gjithë lojtarët. Do të jetë e vështirë, por tejet interesant, dhe mezi po e pres”, kishte thënë Klopp për Liverpoolfc.com pas shortit.

“Ka kaluar kohë e gjatë që kur jam ndeshur me Bayernin në një ndeshje garuese, kështu që mezi po e pres takimin. Në vitet e fundit ata kanë dominuar ligën gjermane në periudhën më të mirë të futbollit gjerman. Të gjithë po flisnin për nivelin e lartë të futbollit në Gjermani dhe Bayerni po dominonte ligën, kjo është e vërtetë”, kishte thënë Klopp.


Në vitin 2013, Shaqiri me Bayernin ishte shpallur kampion i Evropës

Ai gjithashtu kishte folur për rikthimin e Shaqirit, ku do të luajë ndaj skuadrës me të cilën në vitin 2013 e kishte fituar Ligën e Kampionëve, pikërisht kundër Dortmundit të Kloppit.

“Do të jetë gjë e mirë për Mona Nemmer dhe Andreas Kornmayer [pjesëtarët e ekipit të fitnesit], si dhe për Shaq. Edhe unë do të ktaohem me ish-lojtarë, kështu që është gjë e mirë. Në fund të fundit është një ndeshje e futbollit të nivelit më të lartë dhe duhet ta luajmë atë”, kishte theksuar Klopp.

Në ndeshjen e parë, Liverpooli do të jetë pa Virgil van Dijkun që do të mungojë shkaku i kartonëve të verdhë.

Ndeshja e parë në ‘Anfield’ do të luhet sonte (19 shkurt), kurse takimi i kthimit do të zhvillohet në ‘Allianz Arena’ më 13 mars. /Insporti.com/

-->