Liverpool – Manchester United, formacionet e mundshme të derbit më të madh anglez

Futboll 17 Janar 2021 10:41

Liverpooli është nikoqir i Manchester Unitedit në ndeshjen e njohur si derbi më i madh anglez shkaku i rivalitetit ndër vite, takim i vlefshëm për javën e 19-të në Ligën Premier.

Reds i presin Djajtë e Kuq në ndeshjen e cila pritet të zhvillohet me fillim nga ora 17:30 në Anfield.

Ekipi i Jurgen Klopp vjen nga tri ndeshje pa fitore dhe synon t’i kthehet sa më shpejt fitoreve për ta barazuar Unitedin me pikë në vendin e parë.

Në anën tjetër, Unitedi është në formë të lartë me katër fitore nga pesë ndeshjet e fundit dhe synon t’i vazhdojë rezultatet pozitive.

Sikurse Jurgen Klopp, ashtu edhe Ole Gunnar Solskjaer thuhet se i kanë idetë e qarta për formacionet e tyre.

Klopp pa shumë befasi pritet të luajë në sulm me treshen Mohamed Salah, Sadio Mane dhe Roberto Firmino.

Pozita e vetme ku gjermani ka dilema është ajo e qendrës së mbrojtjes, ku mund të luajë Jordan Henderson ose Joel Matip i rikthyer, por si duket ish-lojtari i Schalkes pritet ta marrë atë pozitë dhe anglezi të kalojë në mesfushë.

Solskjaer ka gjetur një balancë të ekipit dhe pa shumë befasi pritet të luajë në mesfushë me emra si Fred, Scott McTominay, Paul Pogba dhe Bruno Fernandes.

Në sulm do të jetë Edinson Cavani, ndërsa Marcus Rashford pritet të ndihmojë. Mbrojtja do të jetë e përhershmja.

Liverpool (4-3-3): Alisson, Alexander-Arnold, Matip, Fabinho, Robertson; Thiago, Henderson, Wijnaldum; Salah, Firmino, Mane

Manchester United (4-2-3-1): De Gea; Wan-Bissaka, Bailly, Maguire, Shaw; Fred, McTominay; Rashford, Fernandes, Pogba; Cavani

-->