Liverpool vs Roma – historiku dhe rezultatet

Futboll 13 Prill 2018 12:53

Liverpool – Roma është njëra nga gjysmëfinalet që u përcaktua nga shorti, derisa dy skuadrat ka më shumë se një dekadë e gjysmë që nuk janë takuar në garat evropiane.

Deri më tani në ndeshje zyrtare, të dy ekipet janë ndeshur 5 herë, prej të cilave Liverpool ka arritur të triumfojë në 2 ndeshje, Roma vetëm në një rast, kurse dy herë rezultati ishte i barabartë pa fitues.

Për takimin e tyre të parë, duhet të kthehemi në sezonin 1983/84 në finalen e Kupës së Evropës e cila u zhvillua në Romë, mirëpo përkundër se ndeshja u zhvillua në kryeqytetin italian, Roma nuk arriti të triumfojë në vendin e saj, pasi u mposht përmes penalltive nga Liverpool (4-2), pasi koha e rregullt përfundoi me barazim 1-1.

Dy takimet e radhës u luajtën në rundën e katërt të Kupës së UEFA-s, dhe në ndeshjen në Romë, ishin anglezët e Liverpool që fituan me rezultat 2-0, kurse në “Anfield”, Roma arriti fitore ndaj Liverpool 1-0 (që ishte edhe fitorja e tyre e parë dhe e vetme kundër “The Reds”). Më tutje në garë vazhdoi Liverpool, pas rezultatit të përgjithshëm 2-1.

Ballafaqimet e fundit të këtyre dy klubeve, ishin ato të sezonit 2001/02, në garën që e njohim edhe sot si Champions League dhe përballjet ishin në fazën e grupeve. Roma në shtëpi barazoi me Liverpool pa gola 0-0, kurse anglezët përsëri dolën fitues në “Anfield” me rezultatin 2-0.

Liverpool hyn në mesin artë të Champions League, pasi ka arritur ta fitojë këtë trofe plotë pesë herë, në vitet 1977, 1978, 1981, 1984 dhe 2005.

Ndërsa Roma në anën tjetër nuk ka arritur asnjëherë ta ngrit trofeun e më të mirit të kësaj gare, por maksimumi ka qenë finalja e lartpërmendur kundër Liverpool në Kupën e Evropës, siç njihej atëherë kjo garë.

Përndryshe, ndeshja e parë gjysmëfinale zhvillohet në “Anfield” më 24 prill, kurse ajo e kthimit një javë më pas, më 01 maj në stadiumin “Olimpico” të Romës. /Insporti.com

 

-->