Liverpooli fitoi me penallti që ishte ‘e parregullt’ – e dëshmojnë pamjet

Futboll 15 Gusht 2019 09:18

Penalltia vendimtare që ia solli Liverpoolit trofeun e Superkupës së Evropës, duket të ketë qenë e parregullt.

Mbrëmë në ‘Vodafone Park’ të Stambollit, të kuqtë e Jurgen Klopp mundën rivalin Chelsean vetëm pas penalltive, shkruan Insporti

Portieri që vetëm këto ditë u transferua te Liverpooli, Adrian, u bë ‘heroi’ duke pritur penalltinë e fundit të Tammy Abrahamit.

Liverpool ka fituar Superkupën e Evropës, duke e mundur Chelsean pas ekzekutimit të penalltive.

Por, nga pamjet që kanë filluar të qarkullojnë pas ndeshjes duket se penalltia e 21-vjeçarit duhej të përsëritej.

Të shumta ishin reagimet pas ndeshjes se ajo çfarë bëri Adrian ishte kundër rregullave, pasi sipas rregullave të futbollit, një portier duhet të qëndrojë në vijë deri në momentin kur topi të jetë goditur nga lojtari që e ekzekuton penalltinë.

Kujtojmë se në Superkupën e këtij viti, për herë të parë është përdorur sistemi VAR. Gjyqtarja franceze Stéphanie Frappart u bë gjyqtarja e parë femër që e referon një ndeshje të madhe të meshkujve në Evropë. /Insporti.com/