Liverpooli me barazim e mbyll turin para-sezonal në Amerikë

Futboll 25 Korrik 2019 09:52

Liverpooli dhe Sporting Lisbona kanë barazuar me rezultat 2-2 në ndeshjen miqësore të zhvilluar në mëngjesit e sotëm (e enjte).

Skuadra e Jurgen Klopp ka shkuar në tri ndeshje radhazi pa fitore gjatë përgatitjeve para-sezonale.

Pas humbjeve nga Borussia Dortmund dhe Sevilla, Reds kanë barazuar me Sportingu në ndeshjen e zhvilluar në Yankee Stadium të Nju Jorkut.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte më e mirë për anglezët, të cilët shënuan edhe dy gola, për dallim të Sportingut që gjeti një herë rrjetën.

Të parët në epërsi kaluan portugezët me anë të mesfushorit në formë, Bruno Fernandes, i cili në minutën e katërt shënoi për 1-0, kjo edhe falë gabimit të Simon Mignolet.

Golin e barazimit për Reds e shënoi Divock Origi (20′), ndërsa holandezi Georginio Wijnaldum (44′) u përkujdes për epërsinë 2-1.

Në pjesën e dytë, trajnerët e të dyja klubeve bënë shumë zëvendësime për të provuar lojtarët, ndërsa golin e gjetën vetëm portugezët.

Ishte braziliani Wendel, i cili në minutën e 56-të shënoi për 2-2 dhe vulosi rezultatin përfundimtar.