Liverpooli pa Salah para një misioni të pamundur ndaj Barcelonës

Futboll 07 Maj 2019 08:46

Liverpooli është para një misioni të pamundur në “Anfield” ndaj Barcelonës.

Skuadra e Jurgen Klopp duhet të kalojë një “mal” me pengesa për të mbërritur në destinacionin e shumëkërkuar e në këtë rast vështirësitë janë shumëfishuar.

Duhet të shënojë minimumi tre gola në portën e Ter Stegenit (e të mos pësojë) e këtë duhet ta bëjë pa tre lojtarë të rëndësishëm në formacionin, Keita, Firmino dhe Mohamed Salah, të gjithë të lënduar.

Trajneri gjerman është i detyruar të bëjë ndryshime në formacion, me një mes Origit e Xherdan Shaqirit që do ta nisë titullar.

Misioni i Liverpoolit praktikisht duket i pamundur, sepse përballë ka lojtarin më të mirë në botë, Lionel Messin, që ishte vendimtar në takimin e “Camp Nout”, sidomos me atë perlën e realizuar nga goditja e lirë.

Barcelona, nga ana tjetër, ka avantazhin e freskisë fizike, pasi lojtarët kryesorë u lanë të gjithë pushim në fundjavë, në humbjen 2-0 në fushën e Celta Vigos, që vlente vetëm për statistikë për katalanët.

Në këtë sfidë “blaugranat” humbën Ousmane Dembele, i cili i dëmtua sapo nisi loja e me shumë mundësi e ka mbyllur sezonin.

“The Reds” vetëm për një pikë sipas të gjitha gjasave do të humbasin edhe garën për titullin e Premier Leagues, pasi Manchester City e kaloi Leicester Cityn në sfidën e parafundit të Premier League, e tashmë i ka mbetur vetëm takimi me Brightonin.