Liverpooli vazhdon të ëndërrojë – titulli është i Manchester Cityt

Manchester City është kampion i Premierligës për sezonin 2018/19.
Skuadra e Pep Guardiolas ka arritur të shpallet më e mira në Angli për vitin e dytë rresht, duke e mundur Liverpoolin në një garë të ashpër për titull, transmeton Insporti
Brighton – City e Liverpool – Wolves ishin dy ndeshjet e xhiros së fundit ku te Liverpooli po shpresonin që City të bënte rrëshqitje në ndeshjen finale.
Përkundër se City pësoi një shok në minutën e 27-të të ndeshjes, duke pësuar gol, disavantazhi zgjati për vetëm një minutë pasi Sergio Aguero doli menjëherë në skenë për golin e barazimit.
‘Citizens’ e përmbysën rezultatin me golin e mbrojtësit Aymeric Laporte, që realizoi për 2:1 disa minuta para fundit të pjesës së parë.
Në fraksionin e dytë të lojës, skuadra e Guardiolas shënoi edhe dy herë, për t’i dhënë fund dilemës së fituesit, dhe çështjes së titullit.
Riyad Mahrez e Ilkay Gundogan realizuan dy gola spektakolarë, për fitoren e thellë 4:1 të Manchester Cityt.
Në anën tjetër, Liverpooli shënoi fitore të pastër, 2:0 ndaj Wolverhamptonit në ‘Anfield’.
Të kuqtë e përfunduan sezonin me 97 pikë pas 38 ndeshjeve, kurse Manchester City me një pikë më shumë e siguroi trofeun për sezonin e dytë radhazi.
Për Manchester Cityn, ky është titulli i 6-të i kampionit në histori të klubit. /Insporti.com/