Llapashtica kritikon mbrojtësit e tij: Në mbrojtje duhet përvoja dhe kualiteti

Futboll 06 Qershor 2020 19:06

KF Vushtrria edhe pas pandemisë “Covid19” ka vazhduar me formë të dobët në IPKO Superligën e Kosovës. Vushtrria ka pësuar humbje në udhëtim te kampioni aktual i Kosovës, KF Feronikeli me rezultat 3:1, shkruan Insporti.com.

Trajneri i ish kampionit të Kosovës, Fitim Llapashtica pas ndeshjes deklaroi për mikrofonin e SuperSport Kosovës, se “Nikli” ka një super skuadër por që fati nuk ishte në anën e futbollistëve të tij. “Dihet që Feronikeli ka një super skuadër, ata janë kampion aktual në Superligë. Ata shënuan dy gola, pastaj morëm vetën, luajtëm mirë, patëm qarkullim, por fati nuk ishte me ne dhe goditjet nuk ishin aq të forta që të përfundojnë në gol.”

I pyetur për mbrojtjen e cila nuk është në nivel të detyrës, Llapashtica u përgjigj në këtë mënyrë:

“Situata jonë dihet, sezonin e kaluar na u larguan 25 lojtarë, i gjithë kontingjenti janë djem të ardhur nga akademia dhe zona e mbrojtjes është e rëndë jo çdokush mund ta luajë, duhet përvoja dhe kualiteti. Ne i kemi djem të ri dhe normal që munden me pas gabime por në rrugën e tyre ka përmirësime dhe besoj që do t’i kalojmë këto probleme.” tha Llapashtica për SSK.

Vushtrria vazhdon të jetë në pozitën e parafundit,ndërsa  Feronikeli barazon me pikë skuadrën e Llapit, dhe gjendet në pozitën e pestë me 37 pikë. /Insporti.com/

-->