Llapi fiton ndeshjen dramatike dhe kthehet në Superligë

Superliga 18 Maj 2019 20:34

Llapi i Podujevës do të garojë në Superligën e Kosovës në hendboll në edicionin e ardhshëm, 2019/2020.

Inkuadrimin në elitën e hendbollit kosovar skuadra llapjane e siguroi të shtunën në Drenas duke fituar ndeshjen e play out-it.

Në ndeshjen e vlefshme për një vend në Superligë, Llapi e mposhti Zhegrën me rezultat 47:44.

Ndeshja ishte e fortë dhe shumë dramatike, ndërsa u vendos vetëm pas vazhdimeve.

Në kohën e rregullt takimi përfundoi me rezultat 38:38. Ndërkohë pas pjesës së parë, rezultati ishte 18:17 për Llapin, që në fund fitoi me tri gola dallim për t’u kthyer në Superligë.

Tre lojtarë të Llapit shënuan nga 10 gola në ndeshjen e rëndësishme, A. Muçiqi, B. Hasani e B. Abazi. Te Zhegra më efikasi ishte A. Haziri me 12 gola.

Llapi këtë edicion ka garuar në Ligën e Parë dhe u rendit i dyti, pas Dukagjinit që direkt u inkuadrua në Superligë.

Ndërkohë Zhegra ishte e parafundit në Superligë. Nga elita është larguar edhe Samadrexha./Insporti