Llapi u dëmtua për një penallti në Podujevë – rastet kontestuese nga derbi i djeshëm

Futboll 23 Prill 2018 13:51

Takimi ndërmjet Llapit dhe Dritës po vazhdon të jetë tema më e përfolur në sportin e Kosovës. Pas spekulimeve mediale për kurdisje, më pas edhe reagimeve të të dyja klubeve që demantojnë shkrimet në media dhe paralajmërojnë padi ndaj atyre që kanë botuar këto shkrime, mbrëmë dhe sot temë diskutimi është cilësia e referimit në këtë ndeshje dhe roli i gjyqtarit Genc Nuza në atë që ka ndodhë dje në stadiumin në Podujevë.

Drita e fitoi ndeshjen me rezultat 3:1 dhe kështu mban epërsinë prej tri pikëve në raport me Prishtinën dhe i prin tabelës pesë xhiro para fundit të kampionatit

Në ndeshje janë shënuar katër gola, ka pasur edhe kartonë të kuqë dhe incidente të rënda, përfshi hyrjen e publikut në fushë të lojës dhe intervenimin policor për zbrazjen e stadiumit.

Sidoqoftë, nga videot e rasteve kontestuese shihet se goli i parë i Llapit është shënuar nga një pozitë e rregullt, edhe pse shumë afër ofsajdit.

Pikërisht si pasojë e reagimit ndaj këtij shënimi gjyqtari Nuza kishte përjashtuar nga ndeshja trajnerin e Dritës, Bekim Isufin.

Një rast tjetër shumë i përfolur ka ngjarë në pjesën e dytë kur futbollistët e Llapit kanë kërkuar penallti dhe aty qartë shihte se gjyqtari Nuza ka gabuar dhe kështu ka dëmtuar ekipin llapjan duke mos akorduar goditje nga pika e bardhë.

Në dy raste të tjera, ka pasur lojë me dorë në zonën e rreptësisë dhe atë një herë topin e ka prekur një lojtar i Dritës dhe herën tjetër një i Llapit, por gjyqtari Nuza në asnjë prej këtyre rasteve nuk kishte akorduar penallti.

-->