Lloga: Nuk e kemi fatin në anën tonë – trajneri Rexhepi e ka mbështetjen e skuadrës

Futboll 28 Shtator 2019 10:34

Është skuadra e vetme që nuk e di për gol e as fitore në këtë kampionat, por sot do të jetë tentimi i shtatë në kërkim të fitores dhe golit për Dukagjinin, shkruan Insporti.com.

Përgjegjësia për mos shënimin e golit, bie mbi supet e repartit ofanziv, megjithatë si duket edhe fati nuk është në anën e tyre. Klinasit janë skuadra që më së shumti ka goditur shtyllën, plot gjashtë herë. Dy herë e ka goditur sulmuesi, Altin Lloga. “Është e vërtetë që nuk kam shënuar, por jam duke punuar fortë që të gjejë rrugën për golin e parë”, ka thënë Lloga për Insportin.

Lloga shtyllën e parë e goditi në ndeshjen ndaj Ferizajt, duke ia mohuar golin, ndoshta edhe fitoren e parë të Dukagjinit.  “Më e rëndishme për mua, është që ekipi të fillojë të këndellët dhe të kemi rezultate pozitive. Natyrisht, goli për mua është i rëndësishëm, por mbi të gjithë është skuadra. Atmosfera në klub është pozitive, përkundër rezultateve negative në këtë fillim të sezonit”, ka shtuar Lloga.

Ndërsa, shtylla ia mohoi përsëri golin në ndeshjen e fundit ndaj Prishtinës. Lloga ka shansin që sot të shkëput ‘kontratën’ me shtyllat dhe të shënojë golin e parë në Superligë ndaj Llapit.

Sulmuesi 29 vjeçar i transferuar këtë sezon në skuadrën e Dukagjinit, ka treguar se të gjithë futbollistët janë në mbështetje të trajnerit Xhengis Rexhepi dhe besojnë fuqishëm në të.

Image may contain: Altin Lloga, playing a sport and outdoor

 

“Gjithë skuadra jemi në mbështetje të tij. Ka bërë një punë fantastike, përgjegjesia është edhe e futbollistëve, pasi ne jemi ‘aktorët’ e vërtetë në fushë”, ka përfunduar Lloga.

Dukagjini i Klinës do të udhëtojë për në Podoujevë, për t’u përballur me skuadrën e Llapit që drejtohet nga trajneri Tahir Batatina.

“Hithat” renditet në pozitën e fundi të tabelës me vetëm një pikë të grumbulluar, ndërsa Llapi në pozitën e katërt me 11 pikë.

Ndeshja fillon prej orës 14:00. /Insporti.com/

 

-->