Loci: Dihet forca e Prishtinës, por të shohim çfarë do të ndodhë

Superliga 09 Maj 2019 20:51

Rahoveci ka qenë befasia më e mirë e këtij edicioni në basketbollin kosovar. Skuadra e udhëhequr nga trajneri Bujar Loci, për herë të parë në historinë e saj, arriti deri në finale të Kupës së Kosovës (ku u mposht nga Prishtina) dhe në finale të play-off-it, ku po ashtu përballet me kryeqytetasit.

Përveç kësaj, “Vresharët” janë skuadra e vetme që i ka shkaktuar humbje Prishtinës në këtë edicion, në garat vendore.

Se a do të arrijë Rahoveci diçka të tillë edhe nesër, është vështirë të parashikohet.

Trajneri, Bujar Loci parashikon ndeshje të fortë, por gjithsesi duke theksuar forcën që e ka Prishtina. “Ne do të hyjmë në lojë me synimin për të dhënë gjithçka nga vetja dhe për të treguar basketboll të mirë. Është një finale dhe nuk ka dyshim se çdokush e jep maksimumin”, ka thënë Loci për Insporti.com.

“Prishtina është skuadër shumë e fortë dhe këtë e ka dëshmuar gjatë gjithë edicionit. Megjithatë, ne synojmë ta rivalizojmë dhe t’i kënaqim tifozët tanë, të cilët me siguri edhe nesër do të krijojnë atmosferë të shkëlqyeshme”, ka shtuar numri një i bankinës së Rahovecit.

Ndeshja zhvillohet nesër në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec dhe fillon në orën 20:30, ndërsa pas tri ndeshjeve të para, Z Mobile Prishtina ka epërsi prej 2:1.