Loci: Po ndodh çka nuk kam besuar kurrë

Superliga 04 Shkurt 2018 13:02

Bujar Loci sot përgatitet të udhëheqë ekipin e tij në një ndeshje të Superligës. Por, për dallim nga të gjitha ndeshjet në të cilat Loci e ka udhëhequr ekipin e tij, kjo e sotmja është e veçante, madje është diçka që ai nuk e besuar se do t’i ndodhë ndonjëherë – të udhëheqë një ekip kundër Pejës.

Loci është pjesë ekipit të Pejës që nga viti 1993, fillimisht si lojtar, e më pas edhe si trajner. Loci ka qenë plej mejker dje kapiten i ekipit të Pejës që ka fituar tre tituj të kampionit të Kosovës në vitet e 90’ta, duke qenë një prej gjeneratave më të suksesshme në basketbollin e Kosovës.

Loci ka luajtur edhe në vitet e para të pas luftës dhe pas përfundimit të karrierës, është bërë pjesë e klubit të Pejës, duke kryer funksione të ndryshme. Duke qenë e pjesë e shtabit teknik të Pejës, qoftë si krye trajner, qoftë si ndihmës në secilin trofe që e ka fituar ky ekip dhe secilën finale në të cilën ka marrë pjesë, Bujar Loci është pjesë integrale e KB Peja.

Sidoqoftë, në fillim të këtij viti ai e mori postin e krye trajnerit të KB Rahoveci dhe sot, në ora 18:00, do të hyjë në palestrën Karagaç dhe për herë të parë në karrierë do të ulet në bankën që është në të djathtë të tavolinës zyrtare, që është e rezervuar për ekipin mysafir.

Loci si pjesë e ekipit të Pejës ne vitet e 90-ta

Ndarja me Pejën

“Kurrë nuk ma ka marrë mendja që do të vijë puna kështu, nuk e kam besuar”, shprehet Loci për Insporti, para ndeshjes. KB Peja këtë sezon është duke kaluar nëpër një krizë të rëndë financiare si pasojë e borxheve të grumbulluara dhe ikjes së sponsorëve.

Loci megjithatë, pohon se në ndeshje shkon për të fituar. “Ne duhet të mësohemi të sillemi si profesionist dhe kjo është pjesë e profesionit tonë. Nuk ka pse bëhet dramë e madhe”, pohon Loci për Insporti.

Lojtarët e huaj, por edhe shumë lojtarë vendorë e kanë braktisur klubin dhe ekipi aktual është i përbërë nga lojtarë të rinj e entuziastë, të cilët angazhohen në mënyrë vullnetare.

Vullnetar ka qenë edhe Loci në pjesën e parë të këtij sezoni, kur i priu Pejës drejt bilancit pesë fitore e nëntë humbje. Peja ka humbur tri ndeshjet e para të pjesës së dytë të sezonit dhe Loci po shkon si favorit për t’ia shkaktuar këtij ekipi humbjen e katërt rresht.

Ai e mori ekipin e Rahovecit dhe në tri ndeshjet e para ka një fitore dhe dy humbje, kështu që sot i duhet fitorja për të mbajtur të sigurt pozitën e katërt që dërgon në plejof.

Rahoveci ndërkaq, është po thuajse tregim diametralisht i kundërt me Pejën. Në Rahovec nuk ka palestër dhe klubi i zhvillon në Gjakovë ndeshjet si vendës, kurse ushtrojnë në palestër që nuk përmbush kriteret.

Ngjashëm si trajneri, edhe shumica e lojtarëve nuk janë nga Rahoveci dhe kjo paraqet ngarkesë shtesë për udhëheqësinë. Mirëpo, klubi ka sponsorë solidë dhe njerëz shumë të përkushtuar dhe të vullnetshëm në udhëheqësi.

Kjo bën që Rahoveci të jetë jo vetëm një anëtar stabil i Superligës, por sivjet për herë të parë të ndjekë edhe plasmanin në plejof, kur për konkurrent ka Trepçën, kampionin e shumë fishtë të Kosovës dhe pjesëmarrësin standard të plejofit. Loci pohon se janë duke kërkuar ndonjë përforcim në pozitat 4 dhe 5.

Peja në rrezik

Nëse Peja vazhdon kështu, sidomos pas fitores së Boreas ndaj Kerasanit dje, rrezikon që të bie nga IP Superliga, dicka që ka qenë e pa paramendueshme deri para pak muajsh.

Klubet në Kosovë kanë edhe tri javë afat për të bërë transfere të lojtarëve, por Peja duket se nuk ka gjasa të gjejë përforcime.

Ekipit i duhet të mbështetet në përbërjen aktuale dhe të fitojë ndeshjet me Kerasanin e Borean, për ti ikur rënies nga IP Superliga ose barazhit.

Në klub më nuk ka mbetur po thuajse askush nga kryesia e dikurshme dhe është vështirë të parashikohet ndonjë rrugëdalje për krizë.

 

 

-->