Loci turpëron Pejën

Superliga 04 Shkurt 2018 18:55

Bujar Loci, ish lojtari dhe trajneri i Pejës sot e udhëhoqi ekipin e Rahovecit drejt fitores në Pejë, fitore me të cilën Rahoveci përforcohet në pozitën e katërt, që dërgon në plejof të IP Superligës.

Ekipi mysafir në këtë ndeshje shënoi fitore me rezultat 110 me 51, që është dëshmia më e mirë e krizës në të cilën gjendet ekipi i Pejës, që tashmë duhet të luftojë për mbijetesë në elitë në duele direkte me Kerasanin dhe Borean, rivalin lokal.

Rahoveci në këtë ndeshje ishte më i mirë në do aspekt dhe pas pjesës së parë që përfundoi me rezultat 23:50, gjithçka ishte e qartë sa i përket fituesit të ndeshjes.

Përveç Locit, një tjetër pjesëtar i dikurshëm i ekipit të Pejës, Arian Qallaku, luajti sonte kundër këtij ekipi. Madje Qallaku ishte shënuesi më i mirë i Rahovecit me 19 pikë, 6 kërcime dhe 7 asistime.

Mirëpo, lojtari më i mirë i ndeshjes ishte Muahmed Hasani, i cili pati 9 pikë, 10 kërcime dhe 11 asistime, duke mbetur vetëm për një pikë i mangët për triple double.

Hasani gjuajti 3/4 nga fusha dhe 2/2 nga gjuajtjet e lira.

Rron Grapci me 22 pikë për 37 minuta të kaluara në parket ishte basketbollisti më i mirë i Pejës në këtë takim.

-->