Lojtari që sapo u largua nga Superliga kosovare, dyshohet se ka koronavirus

Basketboll 10 Mars 2020 22:47

Basketbollisti Jameel McKay, i cili deri më 2 mars ka qenë pjesë e Golden Eagle Ylli, është izoluar në Singapor, me frikën se mund të jetë infektuar me koronavirus.

McKay më 2 mars kishte ndarë rrugët me skuadrën nga Suhareka, për të vazhduar karrierën në Singapor, te skuadra Singapore Sligers.

Faqja zyrtare e Ligës Aziatike të Basketbollit, ka bërë të ditur se basketbollisti është izoluar, shkaku i frikës së mund të jetë infektuar me koronavirus.

“McKay është në karantinë pasi ishte përfshirë në ‘listën e kontaktit’ për një rast të koronavirusit në Singapor. Një 42-vjeçar nga Franca është testuar pozitivisht për koronavirus, ndërsa ai ishte në të njëjtin fluturim me McKayn nga Stambolli për në Singapor”, ka njoftuar faqja zyrtare e Ligës së Azisë.

Përhapja e koronavirusit ka bërë që shumë aktivitete sportive në gjithë botën të anulohen, e një pjesë e tyre të luhen pa tifozë.

-->