Luis Suarez polemizon me Griezmann para ndeshjes çerekfinale

Futboll 04 Korrik 2018 09:53

Ndeshja e parë çerekfinale e cila zhvillohet të premten më 6 korrik, është ajo në mes të Uruguait dhe Francës, e cila pritet të jetë një përballje mjaft e fuqishme dhe interesante për t’u parë.

Por, para kësaj sfide, kanë filluar “luftërat” psikologjike dhe polemikat, ku janë përfshirë sulmuesi i Barcelonës dhe përfaqësueses së Uruguait Luis Suarez dhe ai i Atletico Madrid, francezi Antoine Griezmann.

Antoine Griezmann gjithmonë ka qenë adhurues i kulturës së Uruguait, saqë ka pohuar se ndien që Uruguai është shteti i tij i dytë. Por, ylli i Barcelonës, Luis Suarez është i prerë në reagimin e tij ndaj sulmuesit francezit.

Diego Godin, qendërmbrojtësi i Uruguait, është mik i ngushtë i Griezmannit me të cilin sulmuesi i Atletico Madridit, thotë se i pëlqen shumë ta shijojë pijen tradicionale “mate” dhe aspektet tjera të kulturës së Uruguait.

Griezmann ka shkuar aq larg saqë ka thënë se ndihet gjysmë uruguaian, mirëpo Suarez megjithatë, nuk e blen këtë dhe thotë se homologu i tij nuk e kupton çfarë do të thotë të jesh me prejardhje nga vendi i tij.

“Antoine thotë se është gjysmë uruguaian, por ai është francez dhe ai nuk e di se çfarë do të thotë të jesh uruguaian”, ka thënë Suarez.

“Ai nuk e di kush jemi ne apo çfarë duhet të bëjmë ne për të qenë të suksesshëm në futboll. Atij i pëlqejnë traditat dhe mund ta flasë gjuhën e njëjtë, por ne ndihemi ndryshe”, shtoi sulmuesi i Barcelonës. /Insporti.com

-->