Luiz: Më mungon himni i Ligës së Kampionëve

Futboll 30 Prill 2019 13:55

Chelsea këtë sezon kërkon të rikthehet për të luajtur në Ligën e Kampionëve.

David Luiz tregon se i mungon shumë pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve dhe synimi i tij kryesor është që të kthehet për të luajtur përsëri në këtë garë.

Chelsea sezonin e kaluar nuk kishte mundur të kualifikohej në Champions, derisa tani po bën çmos për të arritur në kompeticionin më të madh të klubeve Evropë.

“Blutë” janë në garë të ngushtë për vendin e katërt që i mundëson kualifikimin në Ligën e Kampionëve, por edhe nëse fitojnë Ligën e Evropës do ta kenë mundësinë që të kualifikohen direkt.

“Është shumë e rëndësishme për ne. Jemi klub i madh dhe si i tillë duhet të luajmë në Ligën e Kampionëve”, deklaroi Luiz.

“Më mungon shumë pjesëmarrja në këtë garë. Kur luan aty përballesh me klubet më të mëdha, lojtarët më të mirë si dhe trajnerët më të zotë”.

“Unë përcjelli shumë ndeshje të futbollit, por në momentin që e dëgjoj himnin e Ligës së Kampionëve e kuptoj se sa shumë më mungon”, theksoi ai.