Luiza Gega thyen rekord kombëtar dhe kualifikohet për në Lojërat Olimpike Tokyo 2020

Atletikë 12 Gusht 2019 18:58

Atletja shqiptare Luiza Gega regjistroi një tjetër sukses në Kampionatin Ekipor EVropian të Atletikës që po zhvillohet në Shkup.

Sportistja kuqezi fitoi garën e 5 mijë metrave madje e bëri këtë duke vendosur dhe rekord kombëtar.

Luiza Gega ndali kronometrin në kohën 15 minuta, 36 sekonda e 62 të qindat, mjaftueshëm për të lënë pas rumunen Fisikoviçi dhe serben Jevtiç, duke merituar dhe ovacionet e publikut në stadiumin “Filipi i Dytë” në Shkup.

Gega ka arritur të kapë në këtë turne, normën për Lojërat Olimpike të Tokios që do të zhvillohen verën e ardhshme në Japoni.

Sportistja shqiptare do të jetë për herë të dytë si atlete e kualifikuar me normë olimpike, dhe jo me ftesë, një arritje që vlerëson përpjekjet e saj në të gjithë sezonin.