Luke Shaw numëron momentet e fundit në “Old Trafford”

Futboll 19 Mars 2018 08:40

Në fitoren e Manchester United të shtunën në kuadër të ndeshjes çerekfinale të FA Cup, në fillimin e pjesës së dytë ishte zëvendësuar mbrojtësi anësor Luke Shaw.

Fillimisht u mendua se bëhej fjalë për ndonjë lëndim, megjithatë në prononcimin e tij për shtyp pas ndeshjes, trajneri Jose Mourinho mbajti një “monolog” 12 minutësh ku pati kritika të mëdha për ta gjithë skuadrën, e posaçërisht për Luke Shaw.

Mirëpo, tani mësohet se e gjitha nuk kishte filluar vetëm me pakënaqësinë e Mourinhos me Shaw për shkak të ndeshjes së fundit. Shtypi anglez bën të ditur, se një lloj zënke në mes trajnerit portugez dhe mbrojtësit anglez, kishte filluar në stërvitje para ndeshjes me Brighton.

Duket se gjatë stërvitjes, Shaw i ishte drejtuar trajnerit Mourinho duke e pyetur lidhur me të ardhmen e tij dhe kjo gjë e kishte nervozuar portugezin, madje edhe duke e bërtitur mbrojtësit të Man. United.

Marrë parasysh se Jose Mourinho, thuhet se do të qëndrojë edhe më tutje në bankinën e “Djajve të Kuq”, atëherë e ardhmja e Luke Shaw tek United, sipas gjitha gjasave do të përfundojë në fund të këtij sezoni.

Mediat angleze, flasin madje edhe për destinacionin e ardhshëm të Shaw, e që mund të jetë skuadra e Tottenham Hotspur, ku mbrojtësi anësor do të ribashkohej përsëri me trajnerin Mauricio Pochettino, me të cilin dikur kanë qenë bashkë tek ekipi i Southampton. /Insporti.com

 

-->