Lushtaku për Mervan Bejtullahun: Gabimi te penalltia i qëllimshëm

Futboll 08 Mars 2021 15:08

Trajneri i njohur, Tahir Lushtaku ka komentuar rastin e diskutueshëm të ndeshjes, KF Prishtina – KF Llapi, që u zhvillua të shtunën e kaluar. Në pjesën e parë skuadrës mysafire nuk iu akordua një penallti, që sipas Lushtakut ishte gabim i trashanik i gjyqtarit kryesor të ndeshjes, Mervan Bejtullahun, shkruan Insporti.com.

Lushtaku i ftuar në emisionin “Ekipi A” në televizionin ATV komentoi rastin diskutabil kur Llapi kërkoi penallti në favor të tyre.

Ish trajneri i Drenicës deklaroi se gabimi i Bejtullahut ishte i qëllimshëm.

 “Gabimi është trashanik, na mundemi me arsyetua qysh të duam, por gabimi është i qëllimshëm. Ndërsa te rasti i golit të dytë, gjyqtari është larg, ndoshta nuk e ka parë. Anësori ka mundur ta ndihmojë. Nuk mundemi të themi që nuk janë gjyqtari të mirë dhe që nuk dinë me referu, por kur duan  referojnë”, deklaroi Lushtaku, transmeton Insporti.com.

Kapiteni i Prishtinës, Lorik Boshnjaku në minutën e 32-të bëri një ndërhyrje në Kastriot Selmanin, por gjyqtari Bejtullahu e cilësoi si të rregullt.

Vendimi i tij shkakoi pa kënaqësi të mëdha në taborin e llapjanëve, të cilët nuk ishin aspak të kënaqur.

Gjyqtari Mervan Bejtallahu është zgjedhur si “Gjyqtari më i mirë” për vitin 2020 nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Prishtina shënoi golin e dytë në aksionin e radhës nëpërmjet sulmuesit Alban Shillova, ndërsa golin e parë e shënoi mbrojtësi Besnik Krasniqi.

Ish kampioni i Kosovës renditet në pozitën e tretë në tabelë me 47 pikë, vetëm tre pikë më pak se sa liderja KF Drita, që mban pozitën e parë me 50 pikë. /Insporti.com/

-->