Magjia e Hazardit e ngrit Chelsean në pozitën e tretë

Futboll 08 Prill 2019 22:53

Chelsea e ka fituar derbin londinez me West Hamin, falë ‘magjisë’ së belgut Eden Hazard.

Hazardi shënoi të dy golat e bluve, në fitoren e pastër 2:0 në ‘Stamford Bridge’, shkruan Insporti

Në pjesën e parë, belgu depërtoi dhe çau mbrojtjen kundërshtare pasi dribloi disa lojtarë, për të shënuar super gol (24′).

Me golin e 28-vjeçarit të shënuar nga solo aksioni, të dyja ekipet shkuan në pushim të pjesës së parë.

Në pjesën e dytë, Chelsea me ngulm e kërkoi golin e dytë, duke iu afruar golit të qetësisë me disa mundësi të mira shënimi.

Por, i rrezikshëm në disa raste u tregua edhe West Hami, që ka mundur të gjejë golin e barazimit.

Sidoqoftë, fitoren e Chelseat, Hazardi e vulosi krejt në fund me golin e shënuar në minutën e fundit të kohës së rregullt, pas asistimit të Ross Barkleyt.

Chelsea me këtë fitore është ngjitur në pozitën e tretë – të paktën përkohësisht – pasi ka një ndeshje më shumë të luajtur se Arsenali e Tottenhami.

Pas 33 ndeshjeve të luajtura, Chelsea në vendin e tretë ka 66 pikë, kurse Tottenhami e Arsenali mbajnë pozitat katër e pesë, me nga 64, respektivisht 63 pikë. /Insporti.com/