Malazezi vodhi minibusin e klubit për të ikur nga Ukraina – ja detajet

Volejboll 02 Mars 2022 10:04

Volejbollisti malazez, Rajko Strugar dy ditë më parë është larguar nga Ukraina. Nga Poltava është larguar me minibusin e klubit, të cilin e ka vjedhur.

Ndërkohë babai i tij ishte futur në Ukrainë që ta ndihmoi djalin të largohet. Strugar ka treguar për gazetën malazeze “Vijesti” përvojën në Ukrainë.

“Ishim tre lojtarë të huaj dhe u vendosëm në bunker, përkatësisht në bodrum. Kemi kërkuar ndihmë nga menaxhmenti i klubit që të dalim nga vendi. Kemi folur me drejtuesit, por kemi marrë përgjigje të paqarta – si do të shkoni, ku do të shkoni, ndoshta rrugët janë të mbyllura… Ne donim të paguanim aq sa duhet dhe kujtdo që duhej vetëm për të arritur në kufi. Por asgjë. Nuk hasëm në mirëkuptim”, ka treguar volejbollisti nga Budva. Atij ndërkohë i lindi një ide. “Para ndërtesës ishte i parkuar minibusi i klubit. Të paktën 4-5 ditë ishte aty. Nuk e ka shfrytëzuar askush. Gjatë dy netëve në bodrum kam bërë planin e rrugës. I kam thënë bashkëlojtarit nga Bjellorusia se unë do të shkoj me minibus, me ty apo pa ty. Ai ishte skeptik, por të shtunën në mëngjes ai ishte i gatshëm. Jemi vendosur më minibus dhe jemi nisur”.

Dy orë më vonë, derisa po udhëtonin drejt kufirit me Moldavinë, duke mos ditur çka i pret rrugës, morën mesazhin se janë lajmëruar për vjedhjen e minibusit. “Kjo që kam bërë mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, por ishte zgjedhja e vetme në atë moment. Zgjedhje tjetër nuk kam pasur”.

Rrugës volejbollistët hasën në pengesa. Dy ura të dëmtuara, barrikada. Kanë udhëtuar në rrugë dytësore, rrugë fshati. Pasi bën rreth 200 kilometra rrugë, u ndalën nga policia.

“Policia na tha se duhet të largohemi nga minibusi, pasi kanë marrë lajmërim për vjedhje”, kja treguar Strugar, që ka thënë se sjelljet e policëve ishin shumë të mira. Dy volejbollistët kanë qëndruar te ajo ndalesë e policisë për dy orë e më pas kanë vazhduar rrugën me dy të moshuar nga Moldavia. Ndërkohë babai i malazezit ishte nisur nga Moldavia për ta gjetur volejbollistin rrugës. Janë takuar rreth 50 kilometra larg kufirit, brenda në Ukrainë. Kështu dy volejbollistët kanë ndërruar veturën dhe kanë vazhduar rrugën me babanë e Strugarit. Ata kanë kaluar kufirin pa telashe dhe janë larguar nga Ukraina.

-->