Man.United e dëshiron me ngulm të riun, pengesë shfaqet një ish-futbollist i “Djajve”

Futboll 04 Maj 2018 16:38

Trajneri Jose Mourinho dhe skuadra e Manchester United, kanë filluar të mendojnë për përforcimet e sezonit të ardhshëm, e madje edhe për lojtarë të rinj që mund të jenë një investim më afatgjatë.

I tillë është edhe interesimi i United për 18 vjeçarin holandez, i cili po shihet si një prej yjeve të së ardhmes, duke llogaritur edhe talentin që ka mundur ta trashëgoj nga babai i tij.

Djali i Patrick Kluivert, Justin, po përcillet tash e një kohë nga skuadrat më të mëdha, e ndër to edhe Manchester United.

Justin Kluivert është vetëm 18 vjeç dhe angazhohet tek skuadra e Ajax, e cila duke parë interesimin e top klubeve evropiane, po mundohet ta shndërrojë në lojtarin më të paguar në ekipin holandez.

Megjithatë, Mourinho dhe United, po mundohen me ngulm ta transferojnë Kluivert në “Old Trafford” , mirëpo pengesë për këtë është bërë një ish-lojtar i United, më saktësisht portieri holandez, Edwin van der Sar, i cili nga viti 2016 është në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm tek Ajax.

Van der Sar po tenton ta blindojë futbollistin e ri, duke e bindur atë për të qëndruar në “Amsterdam Arena” dhe të vazhdoj të zhvillohet edhe më tutje si futbollist.

“Djajtë e Kuq” veçse kanë numër të mjaftueshëm të lojtarëve që luajnë në pozitën e mesfushorit anësor të majtë si, Martial, Rashford e Sanchez, mirëpo duke marrë parasysh moshën e re të Justin Kluivert, ekipi i United po e sheh si një investim shumë të mirë për një të ardhme të gjatë.

I pyetur më herët për futbollin anglez, Kluivert ishte përgjigjur duke thënë se e pëlqen Premier League dhe nëse do të kishte ndonjë ofertë të mirë, 18 vjeçari edhe do të mund ta konsideronte atë. /Insporti.com

 

 

-->