Man.United pranë nënshkrimit me mbrojtësin portugez (Foto)

Jose Mourinho është hedhur në sulm për të përforcuar repartin në të cilat trajneri portugez mendon se skuadra e Manchester United ka çaluar sezonin që sapo lamë pas.
Pas raportimeve se është vetëm çështje kohe kur “Djajtë e Kuq” do ta përfundojnë blerjen e mesfushorit të Sahktar Donetsk, brazilianin Fred, nga shtypi britanik gjatë ditës së sotme është duke u përmendur edhe një përforcim tjetër nga Mourinho, kësaj radhe në repartin defensivë.
Bëhet fjalë për mbrojtësin e djathtë portugez, 19 vjeçarin, Diogo Dalot, i cili luan me skuadrën portugeze, Porto, me të cilët Mourinho e fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2004.
Porto këtë edicion në Primeira Liga të Portugalisë u shpallën kampion, kurse i riu Diogo Dalot, debutoi për skuadrën e parë, duke u paraqitur në 6 ndeshje dhe me paraqitjet e tij menjëherë tërhoqi vëmendjen, me ç’rast Manchester United ka pranuar që ta paguaj klauzolën e lirimit të 19 vjeçarit prej 20 milionë euro, i cili ka kontratë me Porton deri në vitin 2019.
Paraqitjet e pakta të Dalot me Porton, erdhën për shkak të një lëndimi, mirëpo kjo nuk e ka penguar Man.United që t’i afrohet menjëherë futbollistit të ri, i cili është një futbollist i gjithanshëm dhe mund të luaj edhe në krahun e majtë të mbrojtjes.
Mourinho portugezin 19 vjeçar e sheh si një investim afatgjatë, i cili do ta zëvendësonte në krahun e djathtë Antonio Valencian në të ardhmen dhe nënshkrimi me reprezentuesin e përfaqësueses U-21 të Portugalisë, pritet të nënshkruaj me “Djajtë e Kuq” ditët në vijim, duke u shndërruar në blerjen e parë të Jose Mourinhos për verë, derisa shumë shpejt pritet edhe finalizimi i marrëveshjes me Fred. /Insporti.com