Manchester City pranë marrëveshjes me futbollistin e Napolit

Futboll 24 Prill 2018 08:02

Kampioni i ri i Premier League, Manchester City, qysh tani ka filluar tentativat për përforcimet e reja, të cilat trajneri Pep Guardiola i kërkoi nga pronarët e “Cityzens”, në momentin që u eliminuan nga Liga e Kampionëve.

Guardiola kishte kërkuar fonde shtesë, në mënyrë që gjatë afatit kalimtar të verës, të bëjë përforcime të reja dhe duket se negociatat veçse kanë filluar me disa lojtarë.

Njëri ndër lojtarët të cilin Pep e dëshiron në “Etihad”, është edhe mesfushori i Napolit, Jorginho, për të cilin në fakt ka interesim edhe nga rivali i qytetit të Cityt, Man.United.

Megjithatë, thuhet se 26 vjeçari preferon kalimin e tij tek City dhe sipas raportimeve të shtypit britanikë, negociatat kanë avancuar goxha.

Raportohet se agjenti i futbollistit, Joao Santos, javën e kaluar është takuar me drejtorin sportiv të Manchester City, Txiki Begiristain, për të diskutuar lidhur me pjesët e marrëveshjes.

Jorginho kishte kaluar tek Napoli nga skuadra Verona, në vitin 2014 për 8.5 milionë funte dhe ka arritur të shndërrohet në njërin prej mesfushorëve në Serie A të Italisë dhe forma e tij ka alarmuar klubet e mëdha evropiane.

26 vjeçari përkundër se është i lindur në Brazil, ka nënshtetësi italiane dhe paraqitet për përfaqësuesen e Italisë, derisa ishte në fushë në miqësoren e muajit të kaluar, në të cilën Italia barazoi me Anglinë në “Wembley”.

Guardiola e dëshiron në “Etihad” në mënyrë që të jetë një opsion në vend të Yaya Toure, i cili pritet se do të largohet nga City shumë shpejt.

Kurse edhe Man.United po e kërkon, për shkak se pas këtij sezoni do të ngelet pa dy mesfushorët, Micheal Carrick i cili pritet të pensionohet dhe Marouane Fellaini që sipas gjitha gjasave, do të largohet nga “Old Trafford” në verë. /Insporti.com

-->